79 vjet nga Masakra e Ladorishtit
(Homazh dhe përkujtim) Ladorisht, 28 tetor 2023 Vërtet sa herë që tubohemi për të bërë homazhe dhe për ta përkujtuar ngjarjen e 28 Tetorit të vitit 1944 na mbërthen një ndjenjë zemërimi dhe pikëllimi. Si kish mundësi një fshati të tërë t’i vësh zjarrin duke mos e menduar fare se në të jetojnë njerëz me pasuritë e tyre modeste dhe nuk kërkonin asgjë më shumë se sa të rronin të lirë në tokat e tyre stërgjyërore. Në mëngjesin e hershëm të 28 tetorit të 1944, forca të shumta gjermane të armatosura deri në dhëmbë e rrethojnë Ladorishtin, pa lënë asnjë mundësi për t’u larguar askush nga fshati. Kështu, shtëpive iu vu zjarri, ndërsa popullatën e tubuar e dërgojnë në hyrje të fshatit, te Vakçarja. Ata që përpiqeshin të çanin bllokadën qëlloheshin dhe liheshin në vend. Në këtë masakër nuk u kursyen as pleqtë e fëmijët. Nga 84 të pushkatuarve dhe masakruarve nga xhelatët fashistë, 7 ishin gra, disa femijë kurse të tjerët të rinj burra e pleq. Ekzekutimi u bë duke i radhitur në kolona dhe pastaj i qëlluan me breshëri mitralozi. Kjo lirisht mund të llogaritet si një nga kasaphanet apo masakrat më të kobshme për popullatën shqiptare në Maqedoni. Atë ditë Ladorishti kalonte orë dhe çaste të tmerrshme, ashtu sikur edhe në vitin 1913 nga barbarët dhe okupatorët serb.
Atë ditë ogurzezë nuk ka munguar trimëria e burrave të fshatit tonë, por ndihmesa nga Brigadat partizane që kanë qenë të instaluara në afërsi, në f. Vishnjë nuk kanë dhënë përkrahje. Pra ladorishtarët e asaj kohe u tradhëtuan. Ata bënë betejë të pabarabartë për nga furnizimi me armë dhe me organizim.
Kjo ngjarje, edhe pas 79 vjetësh të kaluara na trimëron. Banorët e fshatit Ladorisht nuk u gjunjëzuan, ranë në pragun e shtëpisë duke u kacafytur me forcat regresive naziste, u vranë si patriotë se e deshën shumë vendlindjen. Ngjarja e 28 tetorit, e vitit 1944, është shënuar në kronikat e historisë së lavdishme të Ladorishtit dhe të mbarë kombit.
Historia e Ladorishtit nuk dallon shumë nga historia e trojeve të tjera shqiptare. Atë që ka përjetuar populli shqiptar gjithandej, Ladorishti e ka vuajtur në lëkurën e tij në të gjitha periudhat kohore.
Ladorishti gërsheton dhimbjen me krenarinë, lotin me gëzimin, shtypjen me qëndresën. Fshati ynë i lashtë, duhet të vizitohet gjithmonë jo vetëm për të bërë homazhe të rënëve në Masakrën e Ladorishtit, jo vetëm për të dëgjuar historinë e Luftës së Petrinjes dhe trimave ladorishtarë që udhëhoqën Taborrin e Strugës, por për të mësuar edhe për qëndresën që bëri ky fshat në ruajtjen e vlerave arsimore dhe kulturore në historinë më re të tij.
Lavdi martirëve të Ladorishtit!
-prof.Xhemi Hajredini