Izraeli ka kërkuar evakuimin e 20 spitaleve në veri të Gazës

Izraeli ka kërkuar evakuimin e 20 spitaleve në veri të Rripit të Gazës, gjashtë prej të cilave tashmë janë evakuuar, ka thënë sot një zyrtar izraelit i sigurisë, transmeton Anadolu.

“Katër spitale refuzuan urdhrat e evakuimit, ndërsa pjesa tjetër janë në proces evakuimi”, ka thënë zyrtari i paidentifikuar për Korporatën Izraelite të Transmetimeve.

Zyrtari ka pohuar se “rreth 30.000 palestinezë erdhën në strehimoret përreth Spitalit Shifa për të vepruar si mburoja njerëzore”.÷

OKB-ja dhe institucionet ndërkombëtare kanë thënë gjatë ditëve të fundit se ka një krizë humanitare në Rripin e Gazës si rezultat i bombardimeve dhe rrethimit izraelit në Gaza.

Megjithatë, zyrtari izraelit ka thënë: “Nuk ka krizë humanitare në Gaza”.

“Deri më tani, 700.000 qytetarë janë evakuuar nga veriu i Rripit të Gazës në Luginën jugore të Gazës”, ka deklaruar ai.

Izraeli u kishte kërkuar rreth 1,1 milionë palestinezëve në veri të Rripit të Gazës që të evakuonin shtëpitë e tyre dhe të shkonin në jug.