EKSPERTI/ Si ndikojnë koronavirusi dhe lufta ruso-saudite për çmimet e naftës, në ekonominë botërore

Eksperti ekonomik Ismail Al-Kanouni, një ish zyrtar i Goldman Sachs, foli për kolapsin e paparë në tregjet financiare dhe naftës, parashikimet e tij për ndikimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit në ekonominë globale, si dhe sfondin konflikti ruso-saudit mbi çmimet e naftës.

Çfarë po ndodh në tregjet globale financiare tani?

Ka më shumë arsye për rënien e çmimit të naftës. Faktori i parë është paniku që po prek botën për shkak të përhapjes së koronavirusit. Faktori i dytë është natyra e tregut global financiar, i cili nuk mund t’i rezistojë frikës dhe dyshimit, dhe funksionon me logjikën “ne shesim dhe bëjmë pyetje më vonë”. Tani për tani, ne nuk e dimë se sa humbje do të shkaktojë koronavirusi, ose numrin e njerëzve që do të vuajnë prej tij.

Faktori i tretë është një ulje e kërkesës për shkak të një ulje të konsiderueshme të trafikut.

Cilat janë rezultatet e betejës midis Rusisë dhe Arabisë Saudite?

Pasojat direkte do të ndjehen më së shumti nga prodhuesit amerikanë. Menjëherë pasi Arabia Saudite njoftoi se kishte rritur prodhimin në nivelin e saj më të lartë, aksionet e tyre ranë 20% sepse nuk mund të përballonin çmimet e naftës që nuk i kalonin 25 dollarët për fuçi, dhe ky është një rezultat parësor. Sa i përket rezultatit dytësor, tregu i bonove në SHBA do të pësojë një krizë të vërtetë.

Ne nuk po flasim për ndërmarrjet gjigande të naftës – siç është Shell ose Exxon Mobil – sepse ato kanë mundësi financiare që do t’i ndihmojnë ata të durojnë, sepse dëmi ndaj tyre do të jetë i kufizuar, dhe viktimat më të mëdha do të jenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që veprojnë në tregun e naftës në Shtetet e Bashkuara.

Ekziston një mundësi për investitorët të tërheqin paratë e tyre nga tregu i bonove dhe t’i shesin ato, gjë që do të bëjë më shumë presion në tregun financiar dhe do të krijojë një gjendje të pasigurisë.

Cilat janë pasojat e zgjerimit të virusit dhe luftës ndaj çmimeve të naftës?

Situata aktuale globale mund të çojë në një krizë të vërtetë, dhe Banka Qendrore e SHBA tashmë ka deklaruar se situata aktuale mund të çojë në një krizë ekonomike të ngjashme me atë që ndodhi në 2008.

Këto pritje thonë se ajo që po ndodh tani nuk do të zgjidhet brenda dy javësh, por se do të duhen një vit ose dy për të kapërcyer, me shumë planifikim dhe mbështetje, që bota të kapërcejë pasojat e kësaj krize.

Cili është ndikimi ekonomik i krizës aktuale në jetën e njerëzve të thjeshtë?

Një person mesatar do të vuajë pasojat e përhapjes së virusit. Në Kinë, për shembull, ekziston një prirje rënëse e infeksioneve, por nuk ndodh kështu në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Gjatë javëve të ardhshme, ne do të shohim një rritje të konsiderueshme të infeksioneve dhe vdekjeve, dhe shumë njerëz nuk do të jenë në gjendje të shkojnë në punët e tyre. /tesheshi.com/