Sulmi në spitalin e Gazës me mbi 500 të vdekur, Turqia shpall tre ditë zie

Turqia do të shpallë tri ditë zie kombëtare pas sulmit të spitalit në Gaza.

Një zyrtar i lartë turk për AFP konfirmoi një raport në disa media lokale.

Njoftimi do të bëhet zyrtar me një dekret presidencial, sipas Özlem Zengin, nënkryetar i partisë AKP në parlament, sipas mediave turke.

Ndërkohë bombardimi i Spitalit Arab al-Ahli ka shkaktuar një valë zemërimi dhe protestash në të gjithë Lindjen e Mesme, me protestues që dolën në rrugë në të paktën tetë vende për të dënuar sulmin vdekjeprurës.

Kështu, qindra njerëz demonstruan jashtë ambasadave britanike dhe franceze në Teheran, ndërsa mijëra të tjerë u mblodhën në sheshin Palestinë në qendër të qytetit.

“Vdekje Francës dhe Anglisë”, thirrën protestuesit, duke hedhur vezë në muret e kompleksit të ambasadës franceze në kryeqytetin iranian.

Veç kësaj, mijëra njerëz u mblodhën gjithashtu në ambasadat e SHBA-së dhe Izraelit në Aman me dhjetëra mijëra të tjerë dolën në rrugë në të gjithë vendin.

Protestat shpërthyen edhe në Liban, ku Hezbollahu ka shkëmbyer zjarr me forcat izraelite në kufi.

Gjithashtu, protestuesit e zemëruar u mblodhën jashtë ambasadës franceze në Tunis.

Masakra e spitalit shkaktoi protesta në Bregun Perëndimor, ku qindra palestinezë dolën në rrugë në Ramallah.

Protesta u mbajtën gjithashtu në Libi, Jemen dhe Marok për të denoncuar sulmin ndaj spitalit.