Shqipëria e brazilianit Silvinjo ka vazhduar të vallëzojë edhe në ndeshjet miqësore. Pas fitoreve të njëpasnjëshme në eliminatoret e vlefshme për “Euro 2024”, një fitore tjetër 2:0 për Shqipërinë, këtë herë në miqësoren ndaj Bullgarisë, duke konfirmuar kështu formën e mirë që po kalojnë “kuqezinjtë”, edhe pse me kishte shumë ndryshime në formacionin që zbriti sot në fushën e lojës.
Që të dy golat erdhën nga futbollistë që për shkak konkurrencës së madhe, ende nuk po arrijnë të zënë një vend titullari, mirëpo ja që sonte që të dy e nisën nga minuta e parë dhe nuk zhgënjyen.
Fjala është për Qazim Laçin e Sparta Pragës dhe Ernest Muçin e Legia Varshavës. Kjo dyshe shënoi nga një gol në secilën pjesë, duke i dhënë fitoren në fund Shqipërisë së Madhe, që në nëntor presim të bëjë më të mirën në ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, duke konfirmuar vendin e saj për në Europianin e vitit të ardhshëm në Gjermani.