Ahmed Abdul-Hadi, përfaqësuesi i Hamasit në Liban, këmbënguli të hënën se vendimi për të nisur sulmin e befasishëm të 7 tetorit në Izraelin jugor ishte marrë nga udhëheqja e Hamasit dhe jo e drejtuar nga Irani apo ndonjë palë tjetër e jashtme, por ai tha se në rast të një pushtimi tokësor të Gazës, grupet aleate do të ndërhyjnë, raporton Associated Press.
Lufta në Gaza është “një betejë palestineze dhe vendimi për të hyrë në të ishte një vendim palestinez” i marrë nga Hamasi dhe krahu i tij ushtarak, Brigadat Izz ad-Din al Qassam, “së bashku me fraksionet e rezistencës palestineze”, tha ai në një intervistë me AP përpara një konference të thirrur nga grupi në Bejrut.
Zyrtarët e Hamasit kanë mohuar se Irani ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin e sulmit vdekjeprurës ose se ia kanë dhënë dritën jeshile, dhe deri më sot asnjë qeveri në mbarë botën nuk ka ofruar prova të drejtpërdrejta se Irani e ka orkestruar sulmin. Megjithatë, shumë kanë vënë në dukje sponsorizimin e gjatë të Iranit ndaj Hamasit që ka përfshirë trajnimin, financimin dhe furnizimin e tij me armë.
Abdul-Hadi tha se aleatët e Hamasit, Irani dhe Hezbollahu nuk do të lejojnë Izraelin “të shtypë Gazën” ose të nisë një “sulm gjithëpërfshirës tokësor”, por se grupet kanë lënë qëllimisht paqartësi se kur dhe si do të përgjigjen. “Kjo varet nga zhvillimet në situatën në atë kohë”.
Në rast të një “sulmi tokësor, pavarësisht nga niveli i tij”, ose nëse “vazhdojnë të kryhen gjithnjë e më shumë masakra” në Gaza dhe Hamasi po përdor burimet e tij, tha ai, do të ketë “surpriza të paralajmëruara”.