Çmimet e shtrenjta po vazhdojnë të varfërojnë qytetarët. Jo vetëm për produktet ushqimore por një pjesë e konsiderueshme të buxhetit familjar shpenzohet edhe për barnat. Nga shoqatat për mbrojte të konsumatorit thonë se afër ¼ e të ardhurave të një familjeje mesatare harxhohen për ilaçe farmaceutike dhe shërbime mjekësore. Kërkesat e tyre janë që barnat të përfshihen në projektligjin për parandalimin e tregtisë së padrejtë, i cili aktualisht është në diskutim publik. Kryeministri Kovaçevski dha sinjale pozitive që ky ligj mund të zgjeroj përfshirjen që aktualisht është i destinuar vetëm për produktet ushqimore.
“Për barnat kemi ‘MALMED’-in dhe institucionet tjera, punën e të cilave do ta krahasojmë me praktikat më të mira në BE dhe gjithashtu këtu do të mund të bëhen intervenime. Unë besoj se duhet të bëhen intervenime, e dini si? Siç përafrohemi drejt BE-së do ketë më shumë ligje të zbatueshme në vend që deri më tani as që është paramenduar të ketë ligje të tilla për implementim në shtetin tonë”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.
Ndërkohë sot një sërë preparatesh janë shtrenjtuar nëpër barnatoret e vendit. Përveç listës pozitive, asgjë nuk e pengon monopolin farmaceutik të kalkulojë me çmimet në dëm të xhepave të pacientëve. Deri sa autoritetet po bëjnë analiza, nga ana tjetër kompanitë kanë afat 6 muaj të rimodelojnë sistemin e funksionit nga zinxhiri i prodhuesit, furnitorët e deri te shitja finale me qëllim që të evitojnë 26 praktika jo korrekte të tregtisë, të cilat në fund i faturohen qytetarëve me çmime të majme të ushqimoreve. Deri sa të miratohet ligji, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike tha se do të veprohet me masa autonome, siç po zbatohen ngrirja e çmimeve. Fatmir Bytyqi tha masat po japin efekt edhe në inflacion.
“Unë e di vetëm një çështje, kemi thënë që inflacioni në 2023 do të jetë 8% në mesatare, kurse përpiqemi që deri në fund të vitit inflacioni të bjerë në 5% në dhjetor. Shikoni projektimet e FMN-së, nëse i marrim për krahasim gjitha vendet e rajonit dhe ato të BE-së, rritja jonë këtë vit dhe vitin e ardhshëm është mbi atë që disa vende e kanë parashikuar për ne, por janë të përafërta me pritshmëritë tona”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.
Ligji për parandalimin e tregtisë jo korrekte është në procedurë hartimi me flamur evropian, përmes së cilit parashikohet që fitimi mos të kaloj 10% në shitjen finale nga ajo që aktualisht është rreth 30-40% për produkte të caktuara bujqësore dhe ushqimore. Autoritetet zotohen se kjo do të sjell një ulje të re të çmimeve të produkteve ushqimore me së paku 20% më lirë se sa çmimet aktuale. Gjobat arrijnë deri 20 mijë euro, për tregtarët që do vazhdojnë të bëjnë tregti të padrejtë pasi të hyjë në fuqi ligji. /Alsat.mk