MPB Maqedoni informon se sot (11.10.2023), zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare Mihajllovë dhe Stacioni Policor për Kalim Kufitar dhe Vëzhgim Kufitar Bogorodicë kanë privuar nga liria V.K.(36) nga fshati Damjan i Radovishit, pasi në një furgon “Fiat Ducato” me targa të Shkupit, të cilin ai e drejtonte, janë gjetur 20 emigrantë nga Nepali.
“Rreth orës 13:20 në afërsi të pagesës rrugore Demir Kapi, në drejtimin Negotinë – Demir Kapi, zyrtarët policorë e kanë vërejtur automjetin dhe kanë bërë shenjë që të ndalojë. Vetura ka vazhduar të lëvizë, pas së cilës shoferi e ka ndaluar në kabinën e pagesës dhe bashkë me një person tjetër janë larguar nga vendi. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur emigrantët, ndërsa pas marrjes së masave është gjetur edhe drejtuesi V.K, i cili është privuar nga liria dhe është ndaluar në komisariat”.
“Është kryer këqyrje dhe për ngjarjen është njoftuar prokurori publik, me urdhër të të cilit mërgimtarët do të vendosen në qendrën pranuese-transitore në Tabanoc dhe në Qendrën për pranimin e të huajve – Shkup. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohet raport përkatës”, thonë nga MPB Maqedoni.