Qeveria e RMV-së: Rritet besimi ndaj ekonomisë, kemi një valë investimi prej gjysmë miliardë euro

“Nga dita e parë e ardhjes së kësaj Qeverie, një nga prioritetet kryesore ka qenë dhe mbetet forcimi ekonomik, krijimi i një ambienti konkurrues dhe një klime të favorshme biznesi, si dhe për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve”, tha kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në manifestimin “MKEkonomi – Rritet besimi” organizuar nga kabineti i zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi, i dedikuar për 919 kompanitë përfituese sipas Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve.

Në fjalën e tij, kryeministri Kovaçevski tha se ky imperativ i yni po ndodh në kushtet e krizës së madhe globale ekonomike-energjetike dhe inflatore, ndërsa theksuam se duhet të marrim masa tani dhe menjëherë, për të mbrojtur qytetarët nga goditjet e çmimeve dhe për të ruajtur likuiditetin e kompanive si dhe ruajtjen e ciklit të tyre të investimit.

“Paralelisht, punojmë në afat të mesëm dhe afatgjatë në konsultim me komunitetin e biznesit dhe të gjithë palët, në drejtim të përmirësimit të mjedisit të përgjithshëm të biznesit, rritjes së konkurrueshmërisë së sektorit privat dhe krijimit të kushteve për më shumë investime vendase dhe të huaja, si dhe më shumë punësime. Dhe në kushte krize, më e rëndësishmja është që investimet të mos ndalen dhe këtë e dini më së miri të gjithë ju që jeni këtu”.

“Në këtë drejtim, Qeveria përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve ka mbështetur 919 kompani me 100 milionë euro që nga zbatimi i tij. Në 6 vite, mbështetja financiare nga shteti për kompanitë vendase është rritur për 11 herë. Nga 3,2 milionë euro në vitin 2018 në 35 milionë euro në vitin 2023. Jam i bindur se ditën që do të bëhemi pjesë e BE-së, vendi dhe rajoni ynë do të jetë vendi dhe rajoni me ritmet më të larta të rritjes ekonomike krahasuar me të gjitha vendet e tjera anëtare aktuale të BE-së. Në epokën e re të ekonomisë së bazuar në inovacion dhe njohuri, praktikat më të mira janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Suksesi juaj është një investim i madh për rritjen e vendit. Prandaj, ju siguroj se ne mund të kemi sukses, edhe më mirë, edhe më shumë edhe më shpejt. Për mua dhe për Qeverinë jeni aleati ynë, partneri ynë, të gjithë punojmë për të njëjtin qëllim. Ju përgëzoj sinqerisht për suksesin tuaj, sinqerisht ju uroj edhe shumë suksese, dhe së bashku t’i ndajmë fitoret e reja ekonomike dhe sociale”, tha Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, theksoi angazhimin e tij si zëvendëskryeministër, por edhe më parë si këshilltar i kryeministrit, në drejtim të ristrukturimit të ekonomisë së vendit tonë.

Zëvendëskryeministri Bytyqi u tha përfaqësuesve të pranishëm të kompanive se të gjithë kemi një karakteristikë të përbashkët, e ajo është se të gjithë i kuptojmë mirë shifrat.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në fjalën e tij theksoi se çdo aktivitet investues është i një rëndësie të paçmueshme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për këtë arsye ky ligj është miratuar pikërisht për këtë qëllim, që të inkurajojë kompanitë të investojnë, të bëhen konkurruese.

“Kur kemi filluar hartimin e Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve para gati pesë viteve, jemi udhëhequr nga qëllimi kryesor – që kompanitë vendore të kenë të njëjtat përfitime dhe të njëjtën mbështetje nga shteti si kompanitë e huaja. Deri në vitin 2006, se cilat kompani do të merrnin mbështetje financiare për investimet e tyre ishte vetëm në diskrecionin e zyrtarëve të asaj kohe. Vendimet janë marrë në seancat e mbyllura të Qeverisë, si informacion i klasifikuar. Prandaj vendosëm që mbështetja financiare që do të marrin kompanitë për investimet e tyre të përkthehet në një zgjidhje ligjore për të eliminuar të gjitha rreziqet, për të hequr mundësinë e negociatave ballë për ballë dhe për të ofruar një shans të barabartë për të gjitha kompanitë që plotësojnë kushtet e mënyrës transparente për të marrë mbështetje financiare nga shteti për investimet e kryera. Prandaj sot nuk mund të flitet për një, dy apo tre investime që janë mbështetur nga shteti, por flasim për mbi 900 kompani vendase të mbështetura. Ne e hartuam këtë ligj së bashku me Odat Ekonomike në mënyrë që të kemi një zgjidhje të qëndrueshme që do t’u mundësojë të gjithë investitorëve të kenë parashikueshmëri për investimet e tyre. Do të dinë saktësisht se sa mbështetje financiare do të marrin nga shteti dhe do të mund të planifikojnë rritjen e tyre”, tha Bekteshi.

Përndryshe, Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve është miratuar në vitin 2018. Me mbështetjen e Qeverisë për kompanitë vendase nga viti 2018 deri në vitin 2023 janë mbështetur 919 kompani me 100 milionë euro.