Izraeli fillon rrethimin e Gazës, ndërpriten energjia, uji dhe furnizimet

Autoritetet izraelite të mbrojtjes kanë njoftuar rrethim total të Rripit të Gazës. Sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes, Jaov Galant, urdhri i tillë është marrë për, siç thotë ai, “luftën me barbarët, për çka duhet të ketë kundërpërgjigje të duhur”. Urdhri përfshin gjithashtu ndalimin e furnizimit me energji elektrike, ushqim, karburant dhe ujë në Gaza. Autoritetet në Tel Aviv njoftuan gjithashtu se janë thirrur 300 mijë ushtarë rezervistë që do t’i bashkoheshin kundërofensivës së ushtrisë izraelite. Sipas të dhënave që disponon Izraeli, për këto dy ditë janë regjistruar mbi 700 viktima, duke përfshirë 260 persona që kanë marrë pjesë në koncert në natyrë ndërsa qindra të tjerë janë rrëmbyer. Tel Avivi aktualisht është pothuajse i paralizuar dhe po hap vazhdimisht pika kontrolli për të mbështetur të shpërngulurit izraelit që jetonin në Gaza.

“Duhet të kuptoni se Izraeli është në luftë dhe civilët izraelitë nuk janë diçka me të cilën mund të luani. Armiqtë tanë, terroristët e Hamasit, menduan se ishte kohë e mirë për të filluar një luftë me ne. Ata nuk mund të gabojnë më shumë, do të shkatërrojmë çdo terrorist të Hamasit”, deklaroi Ami Dror – organizator i aksionit.
Ndërkohë, numri i viktimave po rritet në Rripin e Gazës, i cili ishte shënjestër e mbi një mijë sulmeve nga pala izraelite gjatë ditës dhe natës së kaluar. Sipas autoriteteve palestineze, mbi 500 persona janë vrarë. Ata akuzuan se objektivat e sulmeve nuk ishin vetëm pozicione strategjike të Hamasit, por edhe objekte civile. Në Gaza, shumë ndërtesa janë në rrënoja, madje edhe xhami. Sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë, morgu është i stërmbushur.

“Ka mbipopullim të konsiderueshëm në të gjitha spitalet në Rripin e Gazës për shkak të numrit të madh të viktimave që vijnë nga të gjitha zonat që ishin cak në Gaza dhe numri i të lënduarve në spitale është rritur gjithashtu. Tani nuk kemi më vend në morg”, tha Ashraf Al-Kedrah – zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 120,000 njerëz në Gaza janë zhvendosur brenda vendit, kryesisht “për shkak të frikës dhe shkatërrimit të shtëpive”. Në Gaza jetojnë 2.3 milionë palestinezë dhe përpara se të fillonin sulmet ajrore, Izraeli paralajmëroi njerëzit që jetonin në zona të caktuara të largoheshin nga shtëpitë e tyre.