Andaj kam dërguar një Non-Paper te të gjithë ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar nënshkrimin e tyre me qëllim që ta dërgojmë këtë qasje të re, paradigmë të re për integrim në BE si iniciativë e jonë dhe BE-ja të përgjigjet në iniciativën tonë. Vetëm atëherë do të ndjehemi si zot të vetvetes.
Shkruan: Bujar Osmani*
Dikush ka numëruar se ka gjithësej 72 nisma rajonale vetëm në Ballkanin Perëndimor. Andaj edhe shpesh ka konfuzion se kush ku është e cili është roli i secilës prej atyre nismave rajonale. Kur tentoj t’ua shpjegoj njerëzve u them: imagjinoni sistemin planetar ku Procesi i Berlinit është dielli, kurse nismat tjera janë planetët që rrotullohen rreth diellit, duke u përpjekur të përplotësojnë atë po të japin vlera të shtuara. Pse them se Procesi i Berlinit është dielli i sistemit planetar? E them pasi është gjithëpërfshirës, sepse ka bazë të BE-së edhe në aspektin e fondeve, ka një organ ekzekutiv që është RCC (Këshilli për Bashkëpunim Rajonal), e që bën një punë të mirë, dhe ka bërthamën – që është Tregu i Përbashkët Rajonal. Jam krenar se marrëveshja për këtë Treg u arrit gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Procesin e Berlinit.
Në fakt, gjithçka është për Tregun e Përbashkët Rajonal. Ky është testi i parë që duhet ta kalojmë, sepse nëse nuk angazhohemi që ta bëjmë funksional atëherë ne nuk jemi realisht të sinqertë për krijimin e një tregu rajonal. Përveç asaj që theksoi z. Varhelyi, se një e treta e BPB të rajonit do të rritet nëse Tregu i Përbashkët Rajonal do të bëhet plotësisht funksional, funksionalizimi i tij është një test dhe përgatitje e vendeve të rajonit për integrim në tregun e madh të BE-së.
Viti i kaluar ishte i suksesshëm për Procesin e Berlinit për shkak të tre marrëveshjeve të lëvizshmërisë. E dini se Maqedonia e Veriut është depozituese e këtyre marrëveshjeve. E gjetëm veten si shtet si kujdestar të këtyre marrëveshjeve, duke i inkurajuar shtetet tjera që të kompletojnë procesin e ratifikimit me qëllim që t’u mundësojmë njerëzve t’i prekin përfitimet që sjellin ato marrëveshje.
Procesi i Berlinit është forca lëvizëse për integrimin në BE. E di se kam folur shumë për këtë, por mendoj se është e rëndësishme të përsëritet: nevoja për më shumë integrim para anëtarësimit. Arsyeja se pse procesi i zgjerimit është bërë burim i frustrimeve, si te vendet kandidate ashtu edhe te vendet anëtare, është qasja paradigmatike “krejt ose asgjë” e procesit e integrimit në BE. Vendet kandidatë nuk marrin asgjë derisa të bëhen anëtarë të plotfuqishëm të BE-së. Kjo rrugë është e gjatë, e paparashikueshme, qëllimi lëviz. Politikanët nuk janë të nxitur mjaftueshëm për shkak se asgjë nuk mund të përmbushin premtimet e dhëna gjatë mandatit të tyre pasi duken shumë të largëta. Qytetarët nuk janë të nxitur për shkak se nuk i ndjejnë përfitimet gjatë këtij rrugëtimi dhe kështu bëhen të cenueshëm ndaj ndikimeve keqdashëse. Edhe vendet anëtare janë të frustruar, pasi në njërën anë ballafaqohen me frikën nga ne, kurse në anën tjetër me frikën se do të na humbin. Pra, gjithçka ka të bëjë me frustrimin e krijuar për shkak se kemi vetëm një fokus, që është anëtarësimi i plotë formal. Së këndejmi, ne duhet ta zhvendosim fokusin nga ky momentum në procesin si të tillë. E kam thënë një herë – nëse ndërton një shtëpi dhe ke kompletuar vetëm katin e parë, nuk duhet të presësh ta vësh kulmin por mund të nisish të jetosh në katin që e ke gati, përderisa kati i dytë e i tretë janë në ndërtim. Kjo është ajo që ne duam. Për shembull, Maqedonia e Veriut 90 për qind është e harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së. E shpërndava një Tweet të Joseph Borrell, ku ai njofton për një takim të Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, të mbajtur në Kiev. Aty shtova: Joseph, pse unë nuk jam i ftuar në Kiev? Pse nuk më mundëson që të jem 100 për qind i harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së? Nuk them se në atë tavolinë duhet të kem të drejtën e votës, sepse akoma nuk jam anëtar fuqiplotë i BE-së, por vendi im duhet të jetë në atë tavolinë. Ju duhet të më njihni më mirë përgjatë procesit, unë duhet t’ju njoh më mirë juve dhe mënyrën se si funksiononi në atë proces. Pra kjo është çfarë do të thotë koncepti im për më shumë integrim para anëtarësimit. Do të thotë: e para, qasje në forumet politike të BE-së, ashtu siç i plotësojmë kriteret. Pra është një koncept i bazuar në meritokraci. E dyta – qasje në tregun e njësuar ashtu siç i plotësojmë kriteret, në të njëjtën kohë edhe përshtatshmëri për qasje te fondet strukturore dhe kohezive. Në momentin aktual vendet e Ballkanit Perëndimor marrin vetëm 160 euro për frymë, këtë e tregon analiza e Shqipërisë, ndërkohë që vendet fqinje anëtare të BE-së marrin nga 4700 euro për frymë. Pra hendeku i konvergjimit po zgjerohet madje edhe me vendet tona fqinje që tash më janë anëtarë të BE-së. Unë besoj se me këtë qasje ne do të fillojmë të jemi pjesë e BE-së pa sfiduar ndjenjën kryesore të Unionit për funksionalitetin e tij, ndërkohë që do t’i prekim përfitimet gjatë ecjes së rrugës integruese. Dhe kur të bëhemi pjesë e BE-së, as që do të shfaqemi në faqet e para të mediave, as në BE e as në vendet e Ballkanit, pasi që atëherë ne veçmë praktikisht do të kemi qenë pjesë e BE-së.
Edhe një shembull. Maqedonia e Veriut është gati 100 për qind e harmonizuar me regjimin e vizave të BE-së. Ne po e dëmtojmë ekonominë tonë duke mos lejuar shtetas kinezë të vijnë pa viza, duke mos lejuar arabë të vijnë pa viza, duke mos lejuar kazakët të vijnë pa viza, që të vijnë e të sjellin më shumë para për ekonominë tonë. Dhe cila është dhurata për këtë vendim të Maqedonisë së Veriut? Andaj nevojitet një nderim i përbashkët dhe i ndërsjellë, një proces që lëviz nga poshtë-lartë e jo ide të reja që vijnë nga Brukseli, për të cilat ne nuk kemi diskutuar këtu në Ballkan, nuk e kemi kuptuar arsyeshmërinë tyre dhe i refuzojmë për të evituar “elefantin në dhomë” pasi nuk mund të bëhemi pjesë e BE-së. Madje edhe plani i rritjes, për të cilin do të diskutojmë më vonë, do të duhet të jetë propozim i jonë. Andaj kam dërguar një Non-Paper te të gjithë ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar nënshkrimin e tyre me qëllim që ta dërgojmë këtë qasje të re, paradigmë të re për integrim në BE si iniciativë e jonë dhe BE-ja të përgjigjet në iniciativën tonë. Vetëm atëherë do të ndjehemi si zot të vetvetes.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, mendoj se ne nuk mund të injorojmë sulmin shokues e të dhunshëm në veriut e Kosovës, që na tronditi të gjithëve. Së këndejmi, de-përshkallëzimi i gjendjes dhe tërheqja e ushtrisë së Serbisë nga kufiri me Kosovën duhet të shoqërohet me marrjen në përgjegjësi të të gjithë personave të përfshirë, i shoqëruar me një përkushtim të qartë për dialog dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve. Serbia dhe Kosova do të kenë mbështetjen tonë të plotë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, përderisa qëllimi jonë i përbashkët është të parandalojmë ngjarjet e ngjashme destabilizuese që mund të nxisin një rrugë të rrezikshme – të dëmshme për sigurinë dhe demokracinë rajonale.
*Teksti është pjesë e fjalimit të Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në takimin ministror të Procesit të Berlinit, të mbajtur sot në Tiranë