Në pakon e re të masave kundër krizës nuk parashikohen mjete financiare për rritjen lineare të pensioneve prej 3500 denarë, edhe pse pensionistët protestojnë gati tre muaj për diçka të tillë. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska thotë se çdo rritje joreale do ta ngarkojë punën e Fondit Pensional. Sipas saj, rritja e pensioneve do të përcaktohet sipas metodologjisë së re, ndërsa në shtator dhe mars të hyrat do të realizohet harmonizimi i tyre me shpenzimet e jetesës.
“Ndër masat e reja nuk ka rritje lineare sepse nga një rritje lineare nuk përfitojnë të gjithë pensionistët. Me metodologjinë e re, vetëm për një vit e gjysmë pensioni më i ulët është rritur për gati 2200 denarë, dhe në bazë të rritjes së pensioneve do të vazhdojë të aplikohet metodologjia e re dhe do të shkojmë me atë që është zgjidhje ligjore për momentin. Do të kemi masa që do të nënkuptojnë të ardhura shtesë, mbështetje financiare për pensionistët, por do të mbulohen ata pensionistë me pensione të ulëta dhe që janë në kategorinë më vulnerabël”, thekson ajo.
GROPA FINANCIARE E PENSIONEVE
Sipas saj edhe ajo personalisht si ministër por edhe qeveria nuk do të lejojë të pengohet stabilitetit i Fondit Pensional, ku nga viti 2017 punohet në stabilitetin e këtij fondi që e dëshmon edhe ulja e gropës financiare apo deficitit nga 47 për qind para gjashtë vitesh është zvogëluar në 33 për qind. Rritja lineare e pensioneve, sipas përllogaritjeve, do t’i kushtojë shtetit mbi 200 milionë euro në vit. Një shumë e madhe kjo, sidomos kur merret parasysh se si dhe për sa po mbushet gropa në fondin e pensioneve, që për çdo vit plotësohet nga arka e buxhetit të shtetit dhe jo nga të ardhurat e Fondit Pensional. Jo se pensionet e ulëta janë të mjaftueshme, mirëpo mund të vendoset në pikëpyetje stabiliteti i pagesës së pensioneve nëse veprojmë ndryshe. Për më tepër pensionet për një vit e gjysmë janë rritur për 24 për qind. Apo nga një janari 2022 kur pensioni minimal ishte 10.487 denarë, tani ka arritur në 13.200 denarë, apo me fjalë të tjera pensioni është rritur për më shumë se 3000 denarë në këtë periudhë.
Qëndrimi i MPPS është se rritja lineare e pensioneve është e kundërligjshme, por edhe e padrejtë ndaj atyre që kanë paguar kontribute më të larta gjatë jetës së tyre të punës dhe kanë përvojë më të gjatë pune. Në ndërkohë, pensionistët në vend rritje prej 6, morën rritje prej 5.3 për qind të pensioneve të shtatorit.
Nga Ministria e Punës thonë se kjo rritje është e dyta për këtë vit dhe është në përputhje me metodologjinë e rritjes së pensioneve, sipas së cilës 50 për qind vjen si pasojë e rritjes së kostos së jetesës, ndërsa gjysma tjetër nga rritja e pagës mesatare. “Rritja në përqindje e pensioneve fitohet si shuma e rritjes së indeksit të kostos së jetesës në gjashtëmujorin paraardhës dhe përqindjes së rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë punonjësit në gjashtëmujorin paraardhës në raport me gjashtëmujorin paraardhës. Sipas kësaj metodologjie dhe të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, pensioni për muajin shtator është rritur me 5.3 për qind“, thonë nga ky dikaster. Me rritjen e fundit, pensionistët me pensione më të ulëta tani do të marrin rritje prej rreth 600 denarë, ndërsa ata me të ardhura më të larta do të marrin rreth 3600 denarë plus. Në muajin mars, pensionet u rritën me 8.4 për qind dhe bashkë me 5.3 për qind tani, rritja për vitin 2023 arrin në gjithsej 13.7 për qind.
PARA KA, KËRKOHET ZGJIDHJE
Nga ana tjetër, ish drejtoresha e Fondit Pensional Biljana Jovanovska, thotë se qeveria mund të gjejë mjete për rritjen më të madhe të pensioneve se ajo aktuale apo për një rritje lineare. Ajo shton se qeveria mund të rrisë buxhetin e Fondit Pensional nga mjetet që do të fitohen për shkurtimin e harxhimeve jo produktive, uljen e ekonomisë informale e kështu me radhë. Kështu që në vend të shumës prej 3500 denarë, pensionet mund të rriten në mënyrë lineare me 2000 apo 2500 denarë.
Shton se ata pensionistë që punonin në ndërtimtari, fabrika tekstilesh e të ngjashme, në kompani që falimentuan dhe nuk paguanin rroga, së pari pa fajin e tyre merrnin rrogë minimale dhe rrjedhimisht edhe paguanin kontribute të ulëta, disa ishin të papunë për një kohë të gjatë, të tepërt, falimentuar, dhe morën zgjidhje për pensione të ulëta, pse tani duhet t’i ndëshkojmë me shuma të vogla respektimi.
Nga Partia e Pensionistëve i referohen analizave që krahasohen me zgjidhjet e zbatuara në sistemet pensionale të ngjashme me atë të Maqedonisë, dhe besojnë se modeli aktual i harmonizimit të pensioneve, i cili ndjek rritjen e kostos së jetesës dhe rritjes së pagave, është ai më reali dhe më i favorshmi për të gjithë përfituesit e pensioneve. Por ata janë dakord që duhet gjetur një zgjidhje më e favorshme për përfituesit e pensioneve minimale. “Në funksion të këtij qëllimi fokus grupi i Partisë së Pensionistëve janë përfituesit e pensioneve më të ulëta, prandaj në kuadër të koalicionit morëm iniciativën dhe nisëm bisedimet me Qeverinë për miratimin e një zgjidhje të re ligjore për përcaktimin e një mase dinjitoze të pensionit minimal, e cila në rrethanat e dhëna do të siguronte një jetë më të sigurt për përfituesit, pa rrezikuar stabilitetin e sistemit pensional dhe pagesën e rregullt të pensioneve”, thonë nga kjo parti.
Përveç rritjes lineare, pensionistët kërkojnë edhe korrigjim të pensionit minimal në të paktën 18.000 denarë. Kjo shumë është gati e njëjtë me pensionin mesatar të muajit gusht prej 19.106 denarë. Para rritjes së fundit të pensioneve, nga shfrytëzuesit e pensioneve në shtet, 28,56 për qind kanë marrë pension deri në 13.300 denarë, ndërsa 27.61 për qind nga shfrytëzuesit e pensionit kanë marrë mbi 22.000 denarë. Problemet e sistemit pensional të Maqedonisë ndër vite janë të shumta, dhe një nga ato kryesore që vazhdimisht theksohet në analiza dhe nga ekspertët e ndryshëm është raporti i numrit të të punësuarve dhe numrit të pensionistëve. Me fjalë të tjera, problem është numri i punonjësve që mbushin arkën e Fondit Pensional dhe ata që marrin pensione prej tij. Në gjysmën e parë të vitit, sipas statistikave të Fondit Pensional, në vend janë 337.054 përfitues të pensionit, që si shifër është dy herë më pak se numri i të punësuarve, që është 683.242. Kjo do të thotë se janë dy punonjës për çdo pensionist, që nuk konsiderohet një raport i qëndrueshëm, pra është 50 për qind më i ulët se tre punonjësit e rekomanduar e për një pensionist. Analizat e Fondit Pensional tregojnë se në vitin 2025 në vend do të ketë mbi 350 mijë pensionistë. Njëherësh do të rritet edhe shuma e nevojshme për pagesën e pensioneve. Sivjet për pagesën e pensioneve nevojiten afër 1.2 miliardë euro, ndërsa në vitin 2025 kjo shumë do të rritet për mbi 80 milionë euro. (koha.mk)