Shteti do të humbasë rreth 1 milion euro nga mos vjelja fiskale e produkteve me çmime të garantuara. Për këto dy muaj e gjysmë sa do të zgjasë masa për ulje edhe ngrirjen e çmimeve, implikimet financiare nga ulja e tatimeve të TVSH-së dhe taksave doganore për të importuarat, Ministri i Financave tha se do të jenë fare pak në krahasim me kursimet e qytetarëve që i sjellën masat. Deri më tani dihet që një familje katër anëtarëshe do të kursej rreth 2,500 denarë në muaj me uljen e çmimeve për 10% të produkteve ushqimore dhe pijeve, por jo të gjitha bizneset shesin me kuponë fiskal.
“Implikimet fiskale do të jenë më të vogla për shkak të rregullave MFN për shumicën e artikujve me tarifa zero sipas Organizatës Botërore të Tregtisë, kurse në tjerat kemi masat autonome sipas sasisë së blerë. Sipas përllogaritjeve fillestare nuk do të arrij 1 milion euro gjithsej efekti fiskal për këto masa, kurse në ekonominë tonë do të ndikoj dukshëm ndaj çmimeve të këtyre produkteve”, deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Obligimet që janë ulur për taksat doganore dhe fiskale, arrijnë në 65% më lirë, që pritet të ndikojnë në uljen e çmimeve të fruta- perimeve që importohen nga jashtë. Por, problemi është që tregtarët vendor i blejnë nga bujqit prodhimet e subvencionuara dhe i eksportojnë për përfitime të tyre. Kurse, për të mbushur boshllëkun në treg, fruta-perimet e importuara blihen me çmime me të shtrenjta. Ministri Besimi thotë se tregtia e lirë po bëhet në bazë të kontratave me vendet tjera që janë në CEFTA, madje ai thotë se masat tjera lehtësuese janë në favor të tregtarëve, vetëm mos të abuzojnë çmimet. Por, asnjë garanci nuk jepet që këto çmime do të shtrenjtohen edhe më tej pas skadimit të masave.
“Këto janë masa të përkohshme administrative të plotësuara nga masa tjera që mos tu bie barra vetëm tregtarëve për të dëmtuar bizneset e tyre por si qeveri jemi të përgjegjshëm që çmimet mos të hynë në fazën e ‘çmimeve spekulative’ që do të dëmtonin qytetarët tanë dhe konsumatorët”, u shpreh Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Inspektorati Shtetëror i Tregut nga 19 Shtatori, prej kur u mor vendimi i parë i Qeverisë ka realizuar mbi 550 kontrolle në të gjithë territorin e shtetit. Janë shqiptuar mbi 32 dënime me vlerë prej 6 milionë e 320 mijë denarë. Deri më sot janë mbyllur 15 markete në Shkup, Kumanovë, Kërçovë, Gostivar, Kavadar, Tetovë dhe Strugë në kohëzgjatje prej 5 ditëve për mos respektim të çmimeve të garantuara. /Alsat.mk