Nga 1458 kandidatë vetëm 600 do të punësohen, çdo vit e më shumë vajzat duan të bëhen police

Nga gjithsej 1458 kandidatë të paraqitur vetëm 600 do të përzgjedhin që të jenë policë të ardhshëm. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskit është interesant fakti se nga viti në vit rritet numri i kandidateve gra dhe vajza, ndërsa sqaroi se policët e ardhshëm do të trajnohen sipas modelit të edukimit policor i cili përfshin aktivitete dhe detyra përmes tre moduleve të përvetësimit të njohurive dhe aftësive të reja në fushën e punës së policisë.

“Këtë vit janë regjistruar gjithsej 1458 persona, prej të cilëve 1105 janë meshkuj dhe 353 femra, prandaj mund të konstatoj se çdo vit po regjistrohen gjithnjë e më shumë femra. Përzgjedhja e kandidatëve ka nisur më 27 shtator, me përcaktimin e plotësimit të kushteve të veçanta, si gjatësia e kërkuar dhe kontrolli i aftësive motorike. Trajnimi konsiston në mësimdhënie teorike dhe ushtrime të situatës, të cilat kryhen këtu në Qendrën e Trajnimit, por edhe një pjesë praktike të përvetësimit të aftësive, të cilat kryhen në komisariatet e policisë, pranë Sektoreve të Punëve të Brendshme”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brenshëm.

Spasovski siguron se me reformat e reja që kanë implementuar do të parandalohet korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare nga ana e nëpunësve policor.

“Bëhet fjalë për ndalimin e anëtarësimit në parti politike dhe testin e detyrueshëm të integritetit dhe njohjes së gjendjes pasurore, me qëllim parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe forcimin e integritetit të çdo punonjësi”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Policët janë mburoja e shtetit tha Spasovski, duke shtuar se resurset e MPB-së nuk guxojnë të harxhohen për interesat personale të askujt.