Propozim-Ligji për amnisti që pritet t’i prek edhe dy të dënuarit për ndihmë në rastin “Monstra” ka nxitur reagime të cilat partitë e shumicës parlamentare i nxorën para akuzës për pazare politike me të burgosur. Fejzi Aziri dhe Haki Aziri të dënuar me nga 15 dhe 9 vite burg për veprën “ndihmë ndaj autorit pas kryerjes së veprës penale” do amnistohen dhe lirohen në rast se ligji hyn në fuqi. Kjo për shkak se Haki Aziri është pranë përfundimit, ndërsa Fejzi Aziri me 30% të masës së falur, lirohet brenda pak javëve. I pyetur konkretisht për dy të dënuarit, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ditë më parë hodhi poshtë akuzat për pazare politike duke theksuar se ligji falë veprat, ndërsa për lëndët mban përgjegjësi Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.
“Pyetja juaj është tendencioze dhe po e lidhni vetëm me një lëndë. Unë thash se është po i njëjti ligj si në vitin 2018. Nëse atëherë janë amnistuar këto vepra, do të amnistohen edhe tani”, tha Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Fejzi Aziri dhe Haki Aziri në akuzën e parë ishin të dënuar me burg të përjetshëm për veprën terrorizëm. Në vitin 2017 Gjykata Supreme ktheu rastin “Monstra” në rigjykim, ndërsa të akuzuarit i la të mbrohen në liri. Mbi akuzën e përfaqësuar aso kohe nga ish prokurorja speciale, Fatime Fetai, Haki dhe Fejzi Aziri u dënuan nga gjykata për ndihmë dhe iu shqiptuan 15 dhe 9 vite burg. Alil Demiri, Afim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq u dënuan me burg të përjetshëm për veprën “terrorizëm”. Rasti “Monstra” ndodhi në vitin 2012, ndërsa dy të akuzuarve me masë të caktuar efektive, u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, përkatësisht deri tani 11 vite për Fejzi Azirin dhe 8 për Haki Azirin. Ky i fundit nga viti 2017 deri në vitin 2020 kishte ndërprerje të vuajtjes së masës. Avokat i tyre mbrojtës, Naser Raufi ka deklaruar se me miratimin e ligjit pret lirimin e dy të dënuarve. /Alsat.mk