Kosova duhet të angazhohet në identifikimin, ekstradimin dhe gjykimin e terroristëve të përfshirë në sulmin në Banjskë të Zveçanit, thotë profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu. E, tek ka folur për rezolutën e Kuvendit, me të cilën kërkohet edhe hetim ndërkombëtar për sulmin e së dielës, ai ka vlerësuar se kjo duhet të bëhet në koordinim me shërbimet e brendshmeHetime vendore e ndërkombëtare synohet të ndiqen në funksion të zbardhjes së sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Veç hetimeve që janë duke i vijuar organet e rendit, Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute të miratuar të enjten kërkoi edhe hetim ndërkombëtar të aktit terrorist që u ndërmor nga një grup sulmuesish serbë, e në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Njohës të së drejtës penale vlerësojnë se Kosova duhet t’i intensifikojë hetimet e veta në identifikimin e të gjithë sulmuesve, shtrimin e kërkesës për ekstradim dhe dënimin e tyre në Kosovë, qoftë edhe në mungesë.
“Nëse arrijnë t’i identifikojnë, sipas ndryshimeve të fundit, amendamenteve të Kodit të Procedurës Penale, është i mundur edhe gjykimi në mungesë. Kështu që nëse konstatohet identiteti edhe i të tjerëve, duhet të zhvillohen hetimet. Nëse nuk ekstradohen duhet të gjykohen këtu në mungesë”, ka thënë profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu. “Sipas të gjitha gjasave, Serbia nuk do t’i ekstradojë për shkak se ekzistojnë konventa ndërkombëtare, po ashtu e parasheh legjislacioni ynë dhe i Serbisë, që shtetasi i shtetit nuk ekstradohet”.
Megjithëkëtë, sipas Salihut, autorët e sulmit është e detyruar t’i dënojë edhe vetë Serbia.
“Sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit tonë në fuqi, dhe sigurisht edhe në Serbi e shtetet e tjera, nëse nuk e ekstradon kryesin e veprës penale, sidomos për këto veprat e rënda penale, atëherë shteti është i obliguar që ta gjykojë dhe ta dënojë në shtetin e vet sipas maksimës ‘Aut punire aut dedere’, që do të thotë ‘ose ndëshkoje, ose dorëzoje’. Në këtë rast, sipas të gjitha gjasave Serbia nuk do t’i ekstradojë edhe pse e di kush janë ata”, është shprehur ai.
Sa i përket hetimit ndërkombëtar, profesori i së drejtës penale thotë se duhet të bëhet në bashkëpunim me shërbimet vendore informative – policinë, prokurorinë e gjyqësinë.
“Mund të bëhet tërësisht hetim ndërkombëtar, mirëpo më e mira do të ishte të hetohet nga organet tona të ndjekjes, policia, prokuroria dhe gjykatat tona. Por gjithsesi se kjo mund të bëhet në bashkëpunim me hetuesit ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Edhe udhëheqës institucionalë e përfaqësues të opozitës në seancën e së enjtes kërkuan ekstradimin dhe gjykimin e sulmuesve serbë në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti tha se sulmuesit të cilët arritën të iknin duhet të ekstradohen dhe të dorëzohen në organet e Kosovës.
“Organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere, aleate ashtu siç bëri Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj më 29 qershor sivjet. Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”, deklaroi kryeministri Kurti të enjten.
Përveç miratimit të rezolutës, institucionet nuk kanë treguar për veprimet që synojnë t’i ndërmarrin rreth kërkesës për hetim ndërkombëtar.
Nëpërmjet rezolutës, Kuvendi “konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”.
Deri tash, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh tre të dyshuarve serbë – Blagoje Spasojeviq, Dushan Maksimoviq dhe Vladimir Toliq, mbi të cilët rëndon dyshimi për veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe kryerja e veprave terroriste, për të cilat parashihen dënime me së paku 10 vjet burgim deri me burgim të përjetshëm.
Nga ana tjetër, edhe Serbia ka paralajmëruar hetimin e rastit të Banjskës, përfshirë vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku. Kjo pavarësisht faktit se presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi, e arsyetoi sulmin e grupit të udhëhequr nga Radojçiqi me “presionin që Qeveria e Kosovës po e ushtron mbi popullin serb në veri”.
Profesori Salihu nuk beson se Serbia do të iniciojë hetime të drejta e objektive në funksion të zbardhjes së sulmit dhe dënimit të atyre që morën pjesë.
“Më vjen mirë që ka thënë se do t’i bëjë hetimet Serbia, por është shumë dubioze, e pabesueshme që Serbia ndaj tyre do të bëjë një hetim korrekt, të ligjshëm e objektiv, për shkak se sipas të gjitha gjasave edhe vetë pushteti i Serbisë në krye me Vuçiqin ka qenë i ingranuar në këtë sulm”, ka thënë Salihu. “Sidoqoftë këtu duhet mbikëqyrje dhe trysni ndërkombëtare ndaj pushtetit serb që vërtet të bëjë një hetim dhe t’i dënojë ata persona, për shkak se është shumë e dyshimtë që ata ta bëjnë këtë për shkak të jokorrektësisë. Po ashtu edhe për faktin që pushteti i Serbisë, strukturat e saj policore, ushtarak, informative kanë marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj Kosovës me të cilin seriozisht është cenuar jo vetëm integriteti territorial, por edhe sovraniteti dhe siguria e vendit”, ka thënë ai.
Si pasojë e sulmit të armatosur në Banjskë të dielën u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Nga ana tjetër, janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej të arrestuarve, tre ndodhen në paraburgim e të tjerët janë liruar.
Grupi i sulmuesve të tjerë prej rreth 30 personave kanë ikur në Serbi.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia e Kosovës ka arritur të konfiskojë arsenal armësh, që sipas autoriteteve ishte për më shumë se 100 persona. /KOHA