Mbi 70-të automjete si donacion, paralajmëroi sot ministri norvegjez i Mbrojtjes Bjorn Arild Gram, në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska. Në konferencën për shtyp ai ka folur për bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve, por edhe për atë që mund të bëhet më tutje., Theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Norvegjia shënojnë 30-të vjetorin e marrëdhënieve të forta dhe pozitive diplomatike, ndërsa lidhjet ndërmjet dy vendeve, plotësisht janë përforcuar me pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Më lejoni të informoj kolegen time, ministren Petrovska, se Norvegjia po dhuron më shumë se 70 automjete ushtarake për Forcat e Armatosura të Maqedonisë së Veriut. Norvegjia gjithashtu mbështeti disa programe në sektorin e mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut për promovimin e çështjeve gjinore, për një projekt për të luftuar korrupsionin, integritetin në mbrojtje. Presim që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në bashkëpunim me batalionin e inxhinierisë, si dhe në drejtim të stërvitjes dimërore, alpinizmit. Ne jemi gjithashtu pjesë e forcave ushtarake mjekësore ballkanike. Dhe folëm për integrimin e tyre edhe më shumë, për të forcuar bashkëpunimin mes forcave tona në rajon”, theksoi ministri norvegjez në konferencën për shtyp në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai përmendi se të dy vendet janë aleatë, të cilët bashkëpunojnë ngushtë dhe nëse ka nevojë edhe do të mbrohen njëri me tjetrin.
“Është shumë praktike që në NATO të ulemi pranë njëri-tjetrit, që në njëfarë mënyre simbolizon se si qëndrojmë krah për krah si në NATO ashtu edhe në bashkëpunimin tonë dypalësh të mbrojtjes”, tha Gram, i cili theksoi se sot ai dhe Petrovska diskutuan për sfidat kryesore të politikës së sigurisë me të cilën përballet aktualisht Evropa.
Çështja e aktiviteteve të NATO-s ishte në agjendën e takimit në Shkup dhe siç theksoi Gram, ai dhe Petrovska u pajtuan se sulmi rus ndaj Ukrainës duhet të dënohet.
“Lufta në Ukrainë mund të zvarritet dhe është thelbësore që ne të mbetemi të bashkuar dhe të vazhdojmë mbështetjen tonë të fortë ndaj Ukrainës në luftën e saj”, tha ministri norvegjez.
Petrovska vlerësoi se në periudhën e kaluar të dy vendet kanë pasur një bashkëpunim konstruktiv dhe të frytshëm, me rezultate reale dhe të prekshme. Ajo me mirënjohje për mbështetjen që Norvegjia planifikon për këtë vit, duke përfshirë automjetet luftarake dhe joluftarake, të cilat priten në periudhën e ardhshme, por edhe me pjesëmarrjen në projektet për zhvillimin e Krivollakut dhe pajisjet specifike me të cilat do të vazhdojë zhvillimi i Armatës.
“Fushat me të cilat ne bashkëpunojmë me trajnime të përbashkëta dhe biseda ekspertësh janë për ngritjen e kapaciteteve tona, veçanërisht në kuadër të synimeve të kapaciteteve të NATO-s, si dhe mbështetjes mjekësore ushtarake. Norvegjia është një vend partner në kuadër të Forcave Mjekësore Ballkanike, selia e përhershme e së cilës është në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ne e vlerësojmë vërtet mbështetjen tuaj për këtë iniciativë. Jo shumë kohë më parë, gjatë krizës së Kovid-it, vërtet na ndihmuat shumë dhe nëse në krizat më të mëdha shihen miq të vërtetë, me të drejtë mund ta quajmë Norvegjinë një mike të përkushtuar dhe të dëshmuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me mbështetjen tuaj, e shënoj projektin me të cilin bashkërisht ndërtojmë integritetin e ministrive, si një nga programet vendimtare dhe në të njëjtën kohë ndërtuam edhe Qendrën Rajonale për Marrëdhënie me Publikun, i cili aktualisht është në fazën e zhvillimit gjithëpërfshirës të rritet në një shkollë të NATO-s për marrëdhëniet me publikun. Është një qendër nga e cila do të përfitojnë Maqedonia e Veriut dhe Norvegjia dhe aleatët e tjerë të NATO-“s, theksoi ministrja Petrovska.
Ajo shtoi se të dy vendet si anëtare të Aleancës janë të përkushtuara pa mëdyshje në sigurinë e NATO-s dhe qytetarëve në vendet anëtare.
Petrovska përkujtoi se Maqedonia e Veriut vazhdimisht investon në mbrojtje dhe se vitin e ardhshëm planifikohet të arrijë kufirin minimal prej dy për qind të BPV-së për buxhetin e mbrojtjes, prej të cilit mbi 30 për qind do të ndahen për modernizimin e forcave.
Petrovska përmendi edhe pjesëmarrjen e përbashkët në misionet paqësore, duke theksuar se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të mira, por për të më i rëndësishëm është zhvillimi i njohjeve dhe miqësive ndërmjet ushtarëve të dy vendeve.
“Ekipet mjekësore ushtarake në Afganistan mësuan për njëri-tjetrin dhe nga njëri-tjetri dhe rritën ndërveprimin dhe zhvilluan aftësitë e Maqedonisë së Veriut, Norvegjisë dhe NATO-s”, theksoi Petrovska në konferencën e përbashkët për shtyp me Gram.