Partitë shqiptare në Maqedoni dënojnë sulmin në Kosovë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka anuluar të gjitha agjendën e saj në Nju Jork ku po qëndronte për vizitë zyrtare dhe është nisur për në Kosovës, pasi ka marrë lajmin e tensionimit të situatës në veri.

“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës”, shkruan ajo.

Kreu i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues.

“I kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur, shkruan kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër…”, u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Aktin e grupieve kriminale në veri të Kosovës e kanë dënuar edhe kreu i Partisë Demokratike në Kosovë Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Ngushëllime familjes së viktimës si dhe thirrje për dënim të autorëve kanë bërë edhe opozita në Shqipëri si dhe të gjithë partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. / Alsat.mk