Një raketë ka goditur bazën detare të Rusisë në Krime, kanë njoftuar autoritetet ruse të premten.
Guvernatori i emëruar nga Rusia në qytetin e Sevastopolit u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë larg qendrës së qytetit.
Ministria e Mbrojtjes ka thënë se një ushtarak është zhdukur pas këtij bombardimi të bazës detare.
Krimea është cak i kundërofensivës ukrainase që ka nisur në ditët e para të verës. Vetëm në muajin shtator, forcat ukrainase kanë bombarduar disa pjesë të Krimesë, duke shkatërruar sistemin rus të mbrojtjes dhe në port kanë dëmtuar anijen luftarake dhe një nëndetëse.
Plani i Ukrainës është që ta shkëpusë lidhjen tokësore të Rusisë me Krimenë dhe vazhdimisht ka bombarduar urat për t’ua pamundësuar furnizimin forcave ruse.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy pa paralajmërim ka arritur në Kanada për takimin e tij të parë në këtë shtet qëkur ka nisur pushtimi nga Rusia.
Ai ka shfrytëzuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vizituar edhe Kanadanë, përkrahëse e madhe e Ukrainës së bashku me SHBA-në.