Pendarovski-Scholz: Përshpejtimi i proceseve integruese është në interes të stabilitetit politik

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski në margjinat e Asamblesë së 78-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sot në New York pati takim me kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Nga kabineti i Pendarovskit njoftuan se në takim është biseduar për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, perspektiva evropiane e vendit dhe zhvillimet aktuale në rajon.

Në takim, presidenti Pendarovski informoi për ecurinë e negociatave për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe përkushtimin parimor nga Gjermania, si një nga aleatët tanë më të ngushtë, dhe shprehu pritjen e tij për mbështetje të mëtejshme të fuqishme nga autoritetet gjermane në procesin e negociatave të anëtarësimit, duke theksuar se përshpejtimi i proceseve integruese është në interesi i stabilitetit politik, të sigurisë dhe ekonomik të të gjithë rajonit.