Masat e vendosura nga Kosova për Serbinë, përfitojnë Maqedonia dhe Shqipëria

Masa e sigurisë e vendosur tre muaj më parë nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe ka ndikuar që të rritet importi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, shkruan Alsat.

Produktet nga Serbia po zëvendësohen po ashtu edhe me produkte nga Bashkimi Evropian. Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2023, arritën në 73,9 milionë euro, ose 14,4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 16,4%.

Sipas këtij raporti vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut me 5,9% , Shqipëria 5,4%, Serbia 1,3%. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, tha se nga statistikat shihet se ka një ngritje të importeve të mallrave sidomos nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Sa i përket sasisë së importit të produkteve, ato të cilat nuk janë importuar prej Serbisë, tani kanë filluar të importohen prej vendeve tjera, të rajonit, por edhe prej vendit të BE-së. Në qoftë se shihen statistikat kemi një ngritje të importeve sidomos nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe këto janë indikacione që produktet e ngjashme po importohen që nuk kanë mundur të importohen nga Serbia, për shkak të vendosjes së masave nga Kosova, tani janë zëvendësuar edhe produkte që importohen nga këto dy vende. Por, më shumë kemi edhe rritje të importeve edhe nga vendet e BE-së, kështu kanë filluar të zëvendësohen me produkte të vendeve të BE-së”, tha Lulëzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ndërkohë Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria që të rishqyrtojë masat që kufizojnë importet nga Serbia. Në reagim thuhet se sipas të dhënave zyrtare, importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39 për qind krahasuar me vitin 2022.

“Ndalimi, i cili synon Serbinë dhe produktet e importuara nga ky shtet, në fakt ndikojnë në masë të madhe në kompanitë ndërkombëtare. Shumë prej këtyre bizneseve, janë në pronësi të kompanive nga shtetet partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë shtylla kyçe në mbështetjen e trajektores së rritjes së Kosovës”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane.

Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe u mor më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, në ditën kur u rrëmbyen tre zyrtarë policorë të Kosovës nga forcat serbe./ Alsat.mk