Oda e Mjekëve kërkon nga Prokuroria Themelore Publike dhe MPB që të veprojë në parandalimin e keqpërdorimit të integritetit dhe autoritetit profesional të mjekëve në funksion të reklamave të rrejshme, të formave të pa-verifikuara të preparateve mjekësore si barnat, sublimentet ushqimore, metodat apo ndihmat për mjekim, të cilat gjithnjë e më shumë po bëhen të pranishme në portale dhe rrjete sociale.
Sipas tyre bëhet fjalë për reklama manipuluese dhe false për të ashtuquajturat medikamente mjekësore, preparate dhe metoda me origjinë, përbërje ose prodhim të pa-verifikuar.
“Përdorimi i emrit dhe integritetit profesional për reklamimin e këtyre preparateve false për përfitime materiale konsiderohet si abuzim i rëndë i të dhënave personale. Dëmi është edhe më i madh kur për shkak të këtyre reklamave tek pacientët mund të krijohet përshtypja se këto janë disa lloje të barnave mrekullibërëse, dhe në këtë mënyrë e neglizhojnë terapinë e rregullt dhe kështu shkaktojnë dëme serioze në shëndetin e tyre”, thuhet në reagimin e tyre.
Në Odën e Mjekëve shpesh arrijnë ankesa të cilat kanë të bëjnë me promovimin dhe shitjen e produkteve pa dijeninë e mjekëve, të cilët ankohen se ky lloj i përdorimit të integritetit të tyre ka pasoja të rënda negative, si për reputacionin e tyre profesional, ashtu edhe për pacientët që mund të bien viktimë e këtij mashtrimi.
Nga Oda e Mjekëve inkurajojnë mjekët të cilët janë viktima të këtyre abuzimeve të raportojnë në MPB, dhe kur të jetë e mundur të paralajmërojnë pacientët për këto reklama false. “Një numër i madh i mjekëve tashmë kanë dorëzuar kallëzime penale me prova përkatëse. Deri më tani, Oda ka reaguar publikisht dhe përmes njoftimeve ka paralajmëruar për pasojat, por ende nuk kemi informacione për vendimet e prokurorit publik. Oda e Mjekëve edhe njëherë dënon ashpër keqpërdorimet e tilla, dhe kërkon veprime më të shpejta për zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe sanksionimin e autorëve. Në këtë mënyrë do të mbrohen mjekët dhe pacientët, si dhe do të kontribuohet në parandalimin e rasteve të reja të abuzimit”, reagojnë nga atje.