Shkatërrohet në Greqi banda kriminale nga Maqedonia

Për 19 vjedhje të makinave luksoze në Halkidiki, me vlerë mbi një milion euro, akuzohen anëtarët e organizatës kriminale, e cila u zbulua nga policia greke, gjatë së cilës u arrestuan tre persona dhe po kërkohen tre persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje, të gjithë qytetarë të Maqedonisë së Veriut.

Policia greke njoftoi se të arrestuarit janë shtetas të huaj, por sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina, bëhet fjalë për gjashtë shtetas të Maqedonisë së Veriut, prej të cilëve tre janë arrestuar dhe tre janë në kërkim, dy prej të cilëve tashmë janë identifikuar.

Njëri prej të arrestuarve u zbulua në rajonin e Halkidikit nga policët e stacionit të Poligiros, derisa drejtonte një automjet të vjedhur në pronësi të një shtetasi të huaj, të marrë pas një vjedhjeje në një objekt turistik në Halkidiki.

Në kuadër të hetimeve të vazhdueshme të policisë, u zbuluan edhe dy personat e tjerë të arrestuar, të cilët tentuan të merrnin nga rajoni i Halkidikit një automjet të vjedhur që bashkëpunëtori i tyre kishte vjedhur në periudhën e mëparshme dhe synohej ta transferonin jashtë shtetit.

Automjeti konkret është fshehur në zonën e Kozanit, është konfiskuar dhe do t’i kthehet pronarit.

Për metodologjinë, policia greke sqaroi se anëtarët e organizatës fillimisht kanë lokalizuar automjetet luksoze të turistëve në Halkidiki, më pas kanë hyrë në shtëpi për të marrë çelësat dhe më pas kanë vjedhur automjetet.

Secili prej anëtarëve kishte një rol specifik, i cili i referohet koordinimit të organizatës kriminale, lokalizimit të automjeteve, kryerjes së vjedhjeve dhe transportimit të makinave jashtë vendit.

“Nga hetimet e deritanishme, rezultoi se të arrestuarit së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, në tremujorin e fundit, janë përfshirë në total: në 18 vjedhje automjetesh në zona të ndryshme të Halkidikit, nga të cilat janë gjetur shtatë automjete të vjedhura; në një vjedhje automjeti në zonën e Selanikut dhe në një vjedhje targash nga një automjet i parkuar në zonën e Selanikut. Vlera totale e automjeteve të vjedhura, kalon një milion euro, sipas të dëmtuarve. Nga shtëpitë kanë marrë edhe para, pajisje elektronike, ora e të ngjashme, vlera totale e të cilave kalon 60 mijë euro”, njoftoi policia greke.