Spitali modular/ Dy vjet pas tragjedisë, vetëm dy dënime me kusht

Dy vjet nga këto pamje të tmerrshme në Spitalin modular Kovid në Tetovë, drejtësia nuk ka zënë vendin e saj, shkruan Alsat.

14 persona, prej të cilëve 12 pacientë të shtruar në spital dhe dy të afërmit e tyre humbën jetën nga zjarri që bëri shkrumb e hi spitalin modular në Tetovë, për jo më shumë se 3 minuta.

Rasti mori vëmendje të madhe mediatike dhe familjarëve të viktimave u ishte premtuar zbardhje e plotë e rastit.

Autoritetet madje kërkuan ndihmë nga ekspertë të jashtëm gjerman të cilët arritën në vend tre ditë pas tragjedisë. Gjetjet e tyre më vonë u hodhën poshtë dhe nuk u morën parasysh gjatë hetimit.

Objekti në Tetovë ishte njëri nga 29 modularët të ndërtuar për t’u përballur me numrin të rritje të pacientëve me kovid.

Hetimet treguan se zjarri ishte pasojë e një kablli të zgjatur i cili kishte marrë flakë pas përdorimit të defibrilatorit tek njëri nga pacientët e shtruar.

Për këtë rast ka pasur një aktakuzë dhe aktgjykim. Prokurori ka ndjekur penalisht dy ish-drejtorët e spitalit të Tetovës dhe mjekun përgjegjës të objektit modular, jo për shkaqet e zjarrit, por për mbrojtjen nga zjarri në godinë.

Në qershor të këtij viti, ish drejtorët e spitalit, Florin Besimi dhe Artan Etemi u dënuan me nga 1 vit e gjysmë burg, me kusht. Kjo nënkupton se ata mbeten në liri ndërsa në burg mund të shkojnë vetëm në rast se përsërisin veprën në tre vitet e ardhshme.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po kryen një tjetër hetim, i cili ka të bëjë me mënyrën se si është zhvilluar tenderi për ndërtimin e të gjitha objekteve modulare, nëse janë inkorporuar të gjitha materialet e përcaktuara në specifikimin teknik dhe si ka qenë performanca.

Dyshimet për mosrespektim të standardeve gjatë ndërtimit, përdorimin e materialeve që digjen lehtë dhe mosvendosja e mekanizmave për parandalimin e shpërndarjes së zjarrit janë disa nga dyshimet serioze mbi të cilat Prokuroria duhet t’u hedhë dritë, por që nuk e ka bërë akoma, as pas dy viteve nga tragjedia.

Rasti është akoma në fazë parahetimore dhe prokuroria nuk ka asnjë emër të asnjë personi të dyshuar. / Alsat.mk