Përplasjet mes Sofjes dhe Shkupit ulin numrin e turistëve mes dy vendeve

Është ulur dukshëm numri i turistëve nga Bullgaria në qendrat turistike në Maqedoninë e Veriut. Krahasuar me vitin 2019, para pandemisë, gjatë këtij viti janë regjistruar 100 mijë turistë më pak, bëjnë të ditur nga Agjencia për Mbështetjen e Turizmit.

Megjithëse në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave gjysmën e parë të vitit është rritur për 40 për qind numri i turistëve të huaj krahasuar me të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar.

Kryetari i Agjencisë për Mbështetjen Turizmit, Lubço Janevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë dukuri kanë ndikuar dukshëm tonet e ashpra mes zyrtarëve të Shkupit dhe Sofjes rreth kontestit për çështjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas, dhe kërkesës së Bullgarisë për përfshirjen bullgarëve në preambulë nga çka varet dhe dinamika e procesit integrues për Maqedoninë e Veriut.

“Gjendja politike ka bërë që të ulet për 60 deri në 70 për qind numri i turistëve bullgarë në Maqedoninë e Veriut. Sigurisht se kjo gjendje është reflektuar dhe në relacion të kundërt”, thekson Janevski.

Kryetari i Odës Ekonomike Turistike, Arkan Kerim, thekon se është Bullgaria ajo që ka humbur më shumë turistë nga Maqedonia e Veriut.

“Brenda vitit rreth 400 mijë maqedonas frekuentonin qendrat turistike të Bullgarisë, të cilët tani nuk janë më në këtë vend. Ata shkojnë në Serbi ose vendet e tjera, kështu që nëse shihet në konotacionin politik, si rrjedhojë e kontestit mes dy vendeve fqinje, në planin turistik humbëse më e madhe del Bullgaria”, thekson Kerim.

Nga kjo Odë theksojnë se ulje e theksuar e numrit të turistëve vërehet edhe nga Kosova e Shqipëria. Prandaj konsiderojnë se duhet shfrytëzuar raporti i qëndrueshëm politik që ka Maqedonia e Veriut me këto dy vende për të tërhequr më shumë turistë përmes organizimit të ngjarjeve me interes për këta turistë.

Ndër qendrat më të frekuentuara turistike mbeten Ohri dhe Struga gjatë verës, ndërsa Mavrova dhe Kodra e Diellit gjatë dimrit, përderisa Shkupi frekuentohet gjatë tërë vitit.

“Turqia mbetet edhe më tej vendi prej ku e kemi numrin më të madh të turistëve. Më pas kemi Holandën dhe Poloninë përmes fluturimeve carter këtu në Ohër. Dhe Anglinë. Bëhet fjalë për turistë mbi 50-vjeçarë. Pra, kjo tregon se duhet të prezantohemi si vend që ka shumë mundësi edhe për turizmin e të rinjve që anashkalojnë vendin pasi nuk na njohin sa duhet”, thekson për REL-in, Kërste Blazhevski nga Ohri nga sektori i Hotelerisë.

Ai njëherësh nënvizon se duhet shumë punë për prezantimin e kapaciteteve të shumta që ka Maqedonia e Veriut për turizmin malor jashtë sezonit në qendrat turistike në Mavrovë dhe në Kodrën e Diellit.

Hotelierët, gjithashtu, thonë se pa ndihmën e shtetit do të jenë të detyruar të mbyllin kapacitetet pasi për ta është bërë e papërballueshme rritja e çmimeve dhe mungesa e punëtorëve në këtë sektor.

Hotelierët kërkojnë që ndihma e shtetit drejtpërdrejt të adresohet tek ata dhe jo të operatorët turistikë.
“Ndihma për gastronominë është investim i drejtpërdrejtë për zhvillimin e sektorit të turizmit”, thotë Bllazhevski.

Gjatë këtij viti Maqedonia e Veriut pritet të realizojë rreth gjysmë miliardë dollarë të ardhura nga turizmi.

Në bazë të të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave deri në qershor të këtij viti, Maqedoninë e Veriut e kanë vizituar më shumë se 110 mijë turistë, të cilët kanë realizuar 225 mijë fjetje në objektet turistike të vendit, nga të cilët 70 për qind janë turistë të huaj.