Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot ka pritur në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melani Zholi, e cila ndodhet për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Homologët shqyrtuan mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe me theks në bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet e biznesit dhe shkëmbimin tregtar, ndërsa përshëndetën rolin dhe kontributin e rëndësishëm të diasporës sonë në Kanada në këtë kontekst
BUJAR OSMANI MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Kanadaja, si mik dhe partner i sinqertë, e mbështet fuqimisht perspektivën tonë europiane dhe anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian dhe dua t’ju falënderoj publikisht për mbështetjen e përgjithshme kanadeze për proceset reformuese, për rrugën tonë të integrimit europian, e cila u riafirmua edhe në bisedimet e sotme”
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Zholi kujtoi se për herë të parë pas 25 vitesh një ministër i Jashtëm kanadez po viziton vendin tonë.
MELANI ZHOLI, MINISTRE E PUNËVE TË JASHTME TË KANADASË
“Ne e dimë që ndajmë të njëjtat vlera. Është shteti ligjor dhe demokracia dhe së bashku me partnerët që vendosin axhendën në sistemin shumëpalësh. Maqedonia e Veriut është një partner kyç për Kanadanë dhe mezi pret të avancojë qëllimet e përbashkëta të të dyja vendeve. Përveç kësaj Kanadaja dhe Maqedonia e Veriut janë partnerë të ngushtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Unë besoj fuqishëm se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE”.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në nivel shumëpalësh, si dhe për aktivitetet në kuadër të kryesimit tonë me OSBE-në.