MPPS: Pensionet do të paguhen në fillim të muajit, ndërpritet praktika që vlente për shkak të pandemisë

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njofton pensionistët se pensionet do të vazhdojnë të paguhen rregullisht, gjegjësisht në fillim të muajit.

MPPS njofton se me pagesën e pensionit për muajin gusht rikthehet mënyra e rregullt e pagesës në vend të pagesës së parakohshme të pensionit të vendosur për shkak të shpalljes së pandemisë në vend dhe masave të marra për mbrojtje nga koronavirus.

“Gjatë kohëzgjatjes së pandemisë, në bashkëpunim me bankat afariste, është bërë pagesa e parakohshme e pensioneve në katër grupe, si pjesë e rekomandimeve dhe masave për parandalimin dhe përhapjen e virusit tek pensionistët si grupmosha më e prekur dhe me qëllim për të reduktuar bllokimet para bankave dhe mundësitë e rrezikimit të shëndetit personal dhe publik”.

“Për shkak të përfundimit të pandemisë, bankat komerciale përmes Shoqatës së Bankave të Maqedonisë po ndërpresin praktikën e mëparshme të pagesës së parakohshme të pensioneve, me çka pensionet do të paguhen më 1 të muajit, drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit”, thuhet në njoftimin e MPPS-së.