Sindikata e Arsimit kundër Sindikatës së Pavarur, nuk do të ketë grevë në fillim të vitit të ri shkollor

Sindikata e Arsimit vlerëson se paralajmërimi për grevë nga Sindikata e pavarur për Arsim është I vonuar. Kreu I SASHK-ut, Jakim Nedellkov tha për Alsat se greva nuk mund të organizohet sot për nesër pavarësisht problemeve në arsim. Gjithashtu, Nedellkov tha se me Sindikatën e pavarur për Arsim nuk kanë asnjë llojë komunikimi dhe nuk janë të njoftuar me kërkesat e tyre.

“Kur bëhet fjalë për probleme, sigurisht që ka, megjithatë po përpiqemi në vazhdimësi ti tejkalojmë. Greva është punë shumë serioze dhe nuk bëhet sot për nesër. Nëse dikush vlerëson se prej 1 Shtator mund të nis me grevë është shumë vonë”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Nedellkov paralajmëroi së gjatë muajit shtator pritet të firmosen Marrëveshjet kolektive, për arsimin fillor dhe të mesëm. Edhe pse nuk pranoi të zbuloj më shumë, kreu I SASHK-ut Nedellkov tha se me marrëveshjet kolektive do të paguhet transporti për një pjesë të caktuar të mësimdhënësve.

“Do të zbuloj vetëm një risi nga Marrëveshjet kolektive. Do të realizohet pagesa e transportit, ndoshta jo për të gjithë punësuarit në fushën e arsimit. Megjithatë, të gjithë ata që nuk kanë mundësi të udhëtojnë me transport të organizuar ose janë shumë larg vendit të punës, do të subvencionohet transporti ose do të gjindet një mënyrë tjetër e kompenzimit të transportit”, u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut.

Një ditë më parë, kryetari i Sindikatës së Pavarur për Arsim dhe Shkencë, Tomisllav Gievski është shprehur se viti I ri shkollor 2023-24 mund të fillojë me grevë në arsim, pasi sipas Gievskit mësimdhënësit nuk janë të kënaqur me mosrespektimin e marrëveshjes kolektive. Gjithashtu, Gievski ka deklaruar se revolta, mes tjerash, vjen për shkak të ndryshimeve të paralajmëruara në arsim si dhe me pagat e ulëta, që sipas sipas Gievskit, janë më të ulëta se mesatarja. /Alsat.mk