Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së tij në Republikën e Sllovenisë, ku po merrte pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, pati takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Në takim morën pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ku biseduan për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, me fokus fillimet e procesit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend.
“Përkushtimi dhe mbështetja e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut është jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë moment, për të cilin është adresuar qartë mesazhi nga BE-ja, për rëndësinë e përfundimit me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese, për rrjedhën e mëtejshme të procesit të integrimit evropian. të vendit”.
“Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ndryshimet kushtetuese paraqesin një shans unik dhe të papërsëritshëm për përparimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut brenda BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ketë ndikim pozitiv në situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe rajonit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për takimin në mes Kovaçevskit dhe Michellit.
Në të njëjtën kohë, u theksua se angazhimi dhe përshpejtimi i reformave është kyç për rritjen e mbështetjes nga BE-ja në aspektin e fondeve të para-anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, thuhet në njoftimin e Qeverisë.