Ukraina: Kemi penguar sulmet ajrore ruse

Ukraina ka shkatërruar katër raketa lundruese ruse, përderisa Kievi ka lëshuar një alarm mbarëkombëtar për sulme ajrore gjatë natës ndërmjet 26 dhe 27 gushtit, tha përmes Telegramit Forca Ajrore ukrainase. Rusia ka raportuar se ka zmbrapsur dy sulme me dronë në territorin e saj. Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake në Kiev, ka raportuar se janë shkatërruar të gjitha raketat që ishin nisur drejt Kievit. Nuk ka raportime për viktima apo dëme. Forca Ajrore tha se raketat ishin lëshuar nga bombarduesit strategjikë. Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 27 gusht se ka rrëzuar dy dronë gjatë natës. Një u rrëzua në rajonin Brjansk, ndërkaq tjetri në Kursk. Nuk ka raportime për viktima apo dëme. Sulmet në Rusi vijnë një ditë pas një sulmi me dron në rajonin e Moskës, që detyroi autoritetet të mbyllnin përkohësisht tre aeroporte të mëdha në kryeqytetin rus.