Realizimi i asnjë të drejte qytetare nuk do të vihet në pikëpyetje nëse me kohë nuk ndryshohen dokumentet personale, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
I pyetur nëse do të mund të votohet me dokumentet e vjetra personale në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, ai tha se tani kjo çështje as nuk diskutohet.
Lidhur me qëndrimin e shprehur dje nga Avokati i Popullit se dokumentet personale me shtesën “veriore” duhet të barten nga buxheti i shtetit, ai tha se për momentin nuk ka një vendim të tillë.
“Për ndryshimin e dokumenteve personale që disponojmë, për momentin nuk ka asnjë vendim tjetër përveç atij që është marrë. Pra, duhet të ndryshohen”, tha Spasovski në pyetjen gjatë shënimit të ditës së njësitit për dislokim të shpejtë në Kumanovë dhe theksoi se tashmë janë ndryshuar mbi një milion dokumente.
Sipas dispozitave të Marrëveshjes së Prespës, të gjithë qytetarët që nga shkurti i vitit 2024 duhet të ndryshojnë dokumentet e tyre personale, ku duhet të përfshihet emri i ri kushtetues i shtetit.