Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në kuadër të vizitës së tij në Athinë, ka takuar sot presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në të cilën biseduan për luftën në Ukrainë, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në takim, theksojnë nga shtypi i Qeverisë, Kovaçevski theksoi mbështetjen e vazhdueshme që RMV jep për Ukrainën në përpjekjet për mbrojtjen e vendit dhe rivendosjen e lirisë dhe paqes, e me këtë edhe të stabilitetit në rajon.
“Duke dënuar agresionin brutal ushtarak të kryer nga Rusia kundër Ukrainës së pavarur dhe sovrane, Kovaçevski përsëriti se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me mbështetjen e qartë dhe të fortë për Ukrainën, në vetëmbrojtjen e saj dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Maqedonia e Veriut e manifeston qartë këtë qasje si në baza dypalëshe ashtu edhe brenda NATO-s, si dhe duke iu bashkuar Deklaratës së vendeve të G7 për garancitë e sigurisë për Ukrainën”, thuhet në njoftim. Kovaçevski, shtojnë nga atje, theksoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke dërguar ndihma në Ukrainë, siç ka bërë deri më tani.