Shkollat shfrytëzojnë pushimin për rikonstruim

Shumë shkolla fillore po shfrytëzojnë pushimet verore për të rikonstruar objektet. Në shkollën fillore “Liria” në Shkup punonjësit e ndërtimit po përmbyllnin një pjesë të caktuar të punimeve për të vazhduar në pjesën tjetër të objektit. Drejtoresha Teuta Idrizi tha për Alsat se çdo aktivitet ndërtimor është parashikuar të përfundojë deri në fund të muajit gusht kur edhe bëhen përgatitjet e fundit për nisjen e vitit të ri shkollor.

“Momentalisht jemi duke i rregulluar hapësirat e gardërobës, të meshkujve dhe të femrave. Jemi duke u munduar t’i kryejmë punët të cilat kur i kemi nxënësit nuk do të kishim mundësi ti realizojmë. Përveç rregullimit të hapësirave të gardërobës ne në hapësirat e shkollës jemi munduar të gjitha ato nevojat ti plotësojmë edhe infrastrukturore edhe të tjera që të jemi të gatshëm për 1 Shtator”, deklaroi Teuta Idrizi, drejtore e sh.f “Liria”.

“Aktivitete ndërtimore po realizohen edhe në shkollën fillore “Vasill Gllavinov” të komunës së Çairit. Përveç lyerjes së fasadës, punë ndërtimi ka edhe brenda objektit ku për momentin po rikonstrohen tualetet e shkollës, gjithashtu edhe disa klasa të caktuara”.

Sipas drejtuesve të shkollave, punimet ndërtimore realizohen përmes projekteve tashmë të miratuara nga Ministria e Arsimit, donacione nga prindërit dhe kompani private si dhe me ndihmë të komunave. Zyrtarisht, 1 shtatori mbetet data e fillimit të vitit të ri shkollor 2023-2024 por me disa ndryshime të vogla. Siç vendosi Qeveria, risi është pushimi pranveror nga 29 prill deri më 6 maj dhe përfundimi i vitit mësimor më 17 qershor 2024. Sipas Ministrisë së Arsimit, këto ndryshime u bën me qëllim që të rritet produktiviteti te nxënësit dhe mësimdhënësit. /Alsat.mk