Kovaçevski-Aggeler: Vendin e presin vendime të guximshme dhe të vështira

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski njofton se sot ka realizuar takim me ambasadoren amerikane në vend, Angela Aggeler me të cilën kanë biseduar për të ardhmen evropiane të vendit dhe për ndryshimet kushtetuese.

“Në takimin e sotëm me ambasadoren e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela Aggeler, biseduam për mbështetjen e partnerit tonë strategjik SHBA-të për rrugën evropiane të vendit dhe hapat e ardhshëm, i cili është i përhershëm dhe i fuqishëm.

Na presin vendime të guximshme dhe të vështira, të 120 deputetët duhet të tregojnë sjellje shtetërore, të jenë në lartësinë e detyrës dhe të marrin një vendim që do të mundësojë një të ardhme më të mirë, për brezat e ardhshëm, për ne, për fëmijët tanë. Deputetët janë në radhë të parë përfaqësues të qytetarëve dhe qytetarët duan të jetojnë në BE.

Për hir të një standardi më të mirë jetese, për hir të sundimit më të mirë të ligjit, infrastrukturës më të mirë, shërbimeve më të mira për qytetarët, për hir të përparimit ekonomik, drejtësisë sociale, demokracisë supreme. Për një jetë më të mirë sipas standardeve europiane. Sepse duan që fëmijët e tyre të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. BE-ja është alternativa jonë e vetme”, shkruan Kovaçevski në profilin e tij në Facebook.