“SHUMICA QEVERISËSE DHE OPOZITA TË JENË KONSTRUKTIV DHE TË FOKUSOHEN NË EUROINTEGRIME”
Raporti i ke-së për skriningun ka nxjer në pah mosbashkëpunimin e pushtetit dhe opozitës në Kuvend. Nga KE theksojnë se, shumica qeverisëse dhe opozita duhet të tregojnë konstruktivitet në Kuvend dhe të fokusohen në hapa konkret në procesin negoicues, përfshirë përparimin në reformat. Raporti përmban kritika për numrin e madh të ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar.
Partitë politike në Kuvend duhet të fokusohen për të çuar përpara procesin eurpintegrues të vendit, qëndron mes tjerash në versionin draft të raportit të skriningut të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për klasterin e parë “Vlerat fundamentale”. Në raport thuhet se, Kuvendi ka rol kyç në procesin e integrimeve evropiane, edhe pse kjo duhet të konsolidohet më tej. Në këtë mënyrë, nga KE theksojnë se, shumica qeverisëse dhe opozita duhet të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive në Kuvend dhe të fokusohen në hapa konkret në procesin negoicues, përfshirë përparimin në reformat që kanë të bëjnë me BE-në. Raporti po ashtu, përmban kritika për numrin e madh të ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar.
“Mbetet sfiduese planifikimi më efikas i procesit të miratimit të ligjeve. Opozita ka kontestuar përdorimin e “flamurit të BE-së”, procedurë e shkurtuar që ka për qëllim harmonizimin e legjislacionit me të drejtën e BE-së (EU acquis) dhe ka bllokuar disa draft ligje në nivel të komisioneve. Numri i ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar, të propozuar nga Qeveria apo deputet, ka pasur një ulje të lehtë, por mbetet ende i lartë” – thuhet në raportin e KE-së.
Më tej shtojnë se, përdorimi i procedurave të shkurtuara duhet të kufizohet dhe nuk duhet të shfrytëzohet për të shkurtuar konsultimet publike apo për të zgjidhur vështirësitë procedurale në legjislaturë.
“Kuvendi mbetet forumi kryesor i dialogut politik. Megjithatë, polarizimet e vazhdueshme mes partive të pushtetit dhe opozitës kanë dëmtuar punën e tij. Sfidat e koalicionit qeverisës për të siguruar shumicë dhe “bllokada aktive” që zbaton partia më e madhe opozitare kanë prolonguar miratimin e shumë propozimeve ligjore dhe disa emërimeve apo zgjedhjeve të rëndësishme, si dhe rishikimin në kohë të raporteve të trupave të ndryshme rregullatorë” – thuhet në raportin e KE-së.
KE në raportin e publikuar po ashtu, rekomandon që deri në fund të kësaj legjislature të përmirësohet rregullorja e Kuvendit, veçanërisht për të përmirësuar procedurat në seancën konstituive, për të garantuar mbikëqyrje më të madhe qeveritare, për të konsoliduar praktikat për dëgjimet publike, miratimin e kalendarit parlamentar dhe procedurat për ‘ Ligjet me flamur të BE-së.