Sukses historik, Ertjan Kofsha shpallet KAMPION EUROPE në peshëngritje

Peshëngritsi shqiptar, Ertjan Kofsha është shpallur kampion Europe në Kampionatin U20 dhe U23 të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë. Ai konkurroi në peshën deri në 89 kg duke ngritur peshën 153 kg dhe duke fituar medaljen e arit.

Një mbështetje ka ardhur edhe nga politikani socialist, Damian Gjiknuri i cili i ka uruar suksese djaloshit nga Cërriku për një tjetër rezultat fantastik në kampionatin europian të peshëngritjes. Ai i ka dhënë merita edhe tranjerit Leonard Toska, i cili ndër vite stërvit dhe evidenton talente në këtë disiplinë.

“Suksese djaloshit nga Cërriku Ertjan Kofsha që mori një tjetër rezultat fantastik kësaj here në kampionatin europian të peshëngritjes që u zhvillua në Bukuresht të Rumanisë duke siguruar medalje ari në shkëputje dhe medalje bronxi në shtytje e dy garësh.

Meritë për këtë rezultat ka edhe trajneri Leonard Toska i cili ndër vite stërvit dhe evidenton talente në këtë disiplinë” shkruan Gjiknuri.

Ertjan Kofsha gjithashtu arriti të ngrinte në shtytje 184 kg peshë që i siguroi medaljen e bronzit. Ai e mbylli garën me 337 kg të ngritura duke marrë tjetër medalje bronzi në dygarësh. Një sukses i jashtëzakonshëm i shqiptarit i cili mori 3 medalje në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rinj.