RMV, tre maturantë kanë shpikur dorezë inteligjente që mundëson komunikim me personat shurdhmemecë

Nikolla Banskoliev, Vlladimir Veshoski dhe Vlladimir Donev janë tre maturantë të shkollës së elektroteknikës “Mihajlo Pupin”, të cilët kanë krijuar një dorezë inteligjente. Me ndihmën e saj personat shurdhmemecë mund të komunikojnë shkronja, fjalë dhe fraza në gjuhën e shenjave, të cilat doreza i përkthen në tekst, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Idenë për një shpikje të tillë nxënësve ua ka dhënë mësuesja e tyre Stefana Hristovska, e cila ligjëron lëndët profesionale në shkollë.
“Ajo tha se ka një ide që dëshiron që studentët ta realizojnë. Profesoresha na njeh dhe i njeh aftësitë tona, ajo na bashkoi neve në një ekip. Shpikjen e kemi prezantuar në konkursin “Junior Achievement” që këtë vit u mbajt në Strugë, ku fituam vendin e katërt”, thotë nxënësi Banskoliev.

Kjo dorezë inteligjente ofron mundësinë për të përkthyer gjuhën e shenjave, pra lëvizjet e duarve, në tekst. Ajo u mundëson personave shurdhmemec të komunikojnë me njerëzit tjerë pa qenë nevoja që ata ta dinë gjuhën e shenjave.

“Doreza inteligjente përbëhet nga sensorë elastik, të cilët janë komponenti kryesor. Pastaj kemi një ekran LCD në të cilin shfaqen frazat, shkronjat dhe fjalët, dhe të gjitha pajisjet elektronike janë të vendosura brenda. Kemi mikrokontrolluesin, përdorim arduino nano dhe vetë emri nano do të thotë se është shumë i vogël në përmasa, mund të vendoset kudo pa problem. Ne përdorim edhe një akselerometër që përcakton pozicionin e dorës”, thotë Nikolla Banskoliev.

Sipas Vlladimir Veshoskit, ekipit iu deshën rreth pesë muaj për ta përfunduar projektin dhe problemi më i madh ishte furnizimi me komponenta. Ata planifikojnë të përmirësojnë pamjen dhe performancën e dorezës, domethënë duan të eliminojnë ekranin dhe të kenë një barkod që mund të lidhet me një telefon, për ta lehtësuar dhe përshpejtuar komunikimin. Sa i përket planeve të ardhshme në lidhje me shkollimin e mëtutjeshëm, këta të rinj planifikojnë ta vazhdojnë atë dhe të regjistrohen në fakultete.

“Planet tona janë të vazhdojmë shkollimin dhe të merremi me elektronikë. Ne gjithashtu planifikojmë të përmirësojmë produktin tonë dhe përfundimisht të fillojmë ta shesim atë”, thotë studenti Vlladimir Donev.

Maturantët ishin të regjistruar në departamentin e teknologjisë kompjuterike dhe automatizimit. Për këtë drejtim çdo vit interesi është më i madhi.