Vetura e djegur e zv/krzeministrit Artan Grubi ka pasur sinjalistikë të posaçme me drita dhe zë siç e kanë veturat zyrtare speciale. Këtë e deklaroi vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili në përgjigje të pyetjes së deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, tha se në vend ka shumë vetura që në të zezë kanë instaluar sinjalistikë të posaçme. Sipas Spasovskit funksionarët janë “mangupët më të mëdhenj në komunikacion”. Deputeti Kovaçki u kundërpërgjigj, se përgjegjës për këtë është vetë ministri Spasovski.
“Dua të konfirmoj se në atë automjet të djegur, ka pasur sinjale të ndriçuese dhe ky nuk është as automjeti i parë dhe as i fundit. Ministria e Punëve të Brendshme hapi një aksion operativ i cili vazhdon për disa vite lidhur me kontrolle për sinjalistikën me zë dhe drita dhe për errësimin e xhamave. Dhe është fakt se mangupët më të mëdhenj në komunikacion janë bartësit e funksioneve, pa i zgjedhur as partitë politike e as funksionet, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.
“Ju jeni ministër nga vitit 2015, këtë situatë me sinjalistikën me drita dhe me zë nuk mund mos e dini. Patjetër tu falënderohem se ju sapo konfirmuat nga kjo foltore se Artan Grubi është mangupi në Qeverinë tuaj. Ashtu e kuptova fjalimin”, u shpreh Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Kovaçki kërkoi llogari edhe nga kryeprokurori Lubomir Jovevski, nëse ka ngritur iniciativa për të gjitha dyshimet rreth veturës së djegur të cilën privatisht e ka përdorur Grubi. Kryeprokurori Jovevski u arsyetua se veprojnë sipas procedurave gjyqësore.
“A keni ngritur padi për rastin e veturës së djegur dhe a kërkuat zbardhjen e plotë të rastit duke pasur parasysh se dënimi me të cilën mund të ballafaqohet zëvendëskryeministri i parë sipas Kodit Penal është dënim me burg prej 6 muajsh e deri në disa vite. Dhe dënim me para për person zyrtar nëse fsheh prejardhjen e pronës. Ndërsa Grubi mund të dënohet edhe për atë që ka dhënë informata të rrejshme për të ardhurat e tij se pronat e tij janë më të mëdha nga ajo që mund ta fitojë”, deklaroi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
“A është ngritur hetim? Të shpjegoj se hetim ngrihet ndaj personit konkret kur do të mblidhen informata të mjaftueshme lidhur me veprën penale dhe për kryerësin eventual të veprës penale, atëherë prokuroria do të hapë hetim përkatës”, tha Ljubomir Jovevski, kryeprokuror.
Duke theksuar se gjyqësori është jofunksional bazuar në raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe besimin e ulët i qytetarëve, deputeti i opozitës maqedonase e pyeti kryeprokurorin Jovevski se kur do të japë dorëheqje. Por Joveski tha se Kovaçki nuk do të mund ta shijojë dorëheqjen e tij. /alsat.mk