Komisioni Evropian është shumë i shqetësuar për ngjarjet e fundit në sferën e sundimit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në lidhje me Këshillin Gjyqësor dhe për këtë qëllim në vend dërgon mision vlerësues për punën e tij, deklaroi për AIM zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, në prag të fillimit të sotëm të vizitës dyditore të shefit të misionit, Branko Hërvatin në Shkup.
“Këshilli duhet të angazhohet për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë së gjykatësve dhe institucioneve dhe të mbrohet nga ndikimi joadekuat. Duke pasur parasysh ngjarjet më të reja në lidhje me Këshillin Gjyqësor, Komisioni do të dërgojë mision për vlerësim të punës së Këshillit Gjyqësor dhe kornizës së tij juridike, me qëllim që në mënyrë shtesë të përforcohet transparenca, pavarësia dhe besimi i Këshillit, përfshirë edhe të anëtarëve të tij”, tha Pisonero.
Me qëndrimin e njeriut të parë të misionit vlerësues, Hërvatin, i cili është ish-kryetar i Gjykatës Supreme të Kroacisë, zyrtarisht do të shënohet fillimi i punës së tij.
Sipas paralajmërimeve, së pari do të identifikohet vëllimi i punës të cilën do ta kryejë misioni vlerësues, pas çka ai do të kompletohet nga një ekip i ekspertëve nga vendet anëtare të BE-së, të cilët në shtator do ta vizitojnë vendin.
Pisonero në deklaratën për MIA-n shtoi se Komisioni me kujdes e ndjek situatën në vend në lidhje me zbatimin e reformave në lidhje me BE-në dhe për këtë jep vlerësim në raportet e tij vjetore për zgjerimin.
“Ata, gjithashtu, në themel janë të adresuar në skrining, si pjesë e procesit të bisedimeve për anëtarësim. Skriningu duhet të shfrytëzohet në gjithë potencialin që të përshpejtohen reformat e BE-së”, shton Pisonero.
Misionin vlerësues paraprakisht e paralajmëroi shefi i delegacionit të BE-së në vend, David Geer, i cili në intervistë për AIM deklaroi se rekomandimet që dalin nga misioni, do të duhet ta përforcojnë Këshillin gjyqësor të kryejë detyrat e veta, i cili, thotë, është ta mbrojë pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjykatësve.
“Kjo tekstualisht do të thotë se dërgojmë njerëz në pozitat e njëjta, do të thotë gjykatës, njerëz të cilët kanë qenë pjesë të këshillave gjyqësorë në vende të ndryshme anëtare të BE-së, të shohin se çfarë ka qenë situata, ta shqyrtojnë legjislaturën që të shohin nëse ka dobësi të caktuara kur bëhet fjalë për transparencë, përgjegjësi penale, të takohen me të gjitha palët e prekura me qëllim që të shohin se çka u zbatua, e pastaj të japin rekomandime, të cilat duhet ta përforcojnë Këshillin që ta kryejë obligimin e vet, i cili, siç thash, është që ta mbrojë pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjykatësve”, tha euroambasadori Geer në intervistë për AIM.