Struga fiton ndeshjen e parë ndaj Buducnost

Struga fiton ndeshjen e parë ndaj Buducnostit e vlefshme për raundin e dytë të Conference League. Një fitore me shifrat 1-0 që afron të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro me raundin e tretë. Sa i takon ndeshjes, Struga ishte e orientuar drejt sulmit për pjesën më të madhe të sfidës, me rastin e parë që e krijoi Besart Ibraimi në minutën e shtatë. Sulmuesi lëvizi bukur në brendësinë e zonës kundërshtare, por goditja e tij në fund u ndal nga një prej mbrojtësve kundërshtarë.

Shtatë minuta më vonë ishte radha e Radeskit për të provuar portën e mbrojtur nga Pavlicic. Radeski goditi fort nga distanca, por gardiani kundërshtar grushtoi topin dhe largoi rrezikun. Në minutën e 21-të, Ibraimi ishte i pafat pasi goditja e tij u ndal nga shtylla. Gjithsesi, goli ishte “në ajër” dhe nuk vonoi teksa në të 29-tën, Ibraimi mundi të festonte. 36-vjeçari përfitoi edhe nga një gabim i kundërshtarëve dhe përballë portierit kundërshtar nuk fali duke e dërguar topin në fundin e rrjetës. Struga vijoi të sulmonte edhe pas avantazhit, por 45-minutat e para nuk sollën ndryshim të rezultatit.

Fraksioni i dytë nisi sërish me Strugën më kërkuese. Aksioni i parë i rrezikshëm u regjistrua në minutën e 51-të kur pas disa kombinimesh të sakta, Bunjamin Shabani goditi në hyrje të zonës kundërshtare, por pa mundur të gjente kuadratin e Pavlicic. Në minutën e 70-të erdhi edhe rreziku i parë konkret nga Buducnost me Mirkovic që tentoi nga distanca, topi mori një trajektore shumë të rrezikshme duke prekur lehtë edhe traversë edhe traversën.