90 minuta larg historisë dhe larg kualifikimit. Struga është shumë pranë një arritje të jashtëzakonshme, me skuadrën e Shpëtim Duros që të martën do të luaj ndeshjen e kthimit përballë Zalgiris, në raundin e parë të kualifikueseve të UEFA Champions League.
Në Lituani gjithçka u mbyll në barazim, me rrjeta të paprekura, me kampionët e Maqedonisë së Veriut të cilët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe ndoshta me pak fat mund të kishin marrë edhe maksimumin.
Por, e kaluara mbetet e kaluar dhe Struga ka lënë pas emocionet e debutimit, ndoshta 90 minuta nuk mjaftojnë kurrësesi për të fituar eksperiencë, por mjaftojnë për të studiuar kundërshtarin dhe për të fituar më shumë siguri në vetvete.
Lituanezët pavarësisht faktit se janë në aktivitet e sipër, kjo për faktin se kampionati në Lituani është në gjysmën e tij, nuk ia dolën të gjenin ritmin e duhur apo të bënin diferencën dhe kjo edhe për meritë të Strugës.