Pasojat praktike nga mospërmbushja e ndryshimeve kushtetuese do të jenë të tilla që do të anulojnë rrugën e vendit drejt BE-së. Kështu thotë në një intervistë për Mia-n Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir. Në përgjigjen e pyetjes se si të arrihet deri te kompromisi për ndryshimet kushtetuese, Gir thotë se duhet ndryshuar fryma e dialogut, të ecet përpara jo vetëm, siç thotë ai, për ndryshimet kushtetuese, por edhe për reformat.
DEJVID GIR, EUROAMBASADOR
“Shohim se në vend ka një polarizim të madh midis partive politike. Thuajse të gjitha partitë politike publikisht tregojnë dhe përsërisin se janë të përkushtuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Mirëpo, kur është fjala për bashkëpunimin praktik, të themi rreth legjislacionit, me çka vendi do të avanconte dhe do të ishte në interes të qytetarëve, atë bashkëpunim nuk po e shohim”.
Gir thotë se është e rëndësishme se kur të publikohet teksti përfundimtar për ndryshimet kushtetuese, të ketë debat të hapur dhe të gjithë politikanët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe t’i vendosin interesat e shtetit në plan të parë, të shohin tekstin dhe të sigurohen se çfarë në fakt propozohet.
DEJVID GIR, EUROAMBASADOR
“Nëse, siç presim, bëhet fjalë për futjen e njerëzve që deklarohen si bullgarë në Kushtetutë, atëherë do të bëhet eksplicite ajo që është tashmë implicite në vetë Kushtetutën dhe kjo do të paraqiste fuqizim të mëtejshëm të historisë tashmë të mirë të vendit në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike. Nuk shoh se kjo është kundër interesit kombëtar apo kërcënim për identitetin e këtij vendi. Megjithatë, këto janë vendime që duhet t’i marrë vetë vendi”.
Euroambasadori kërkon që politika ta lërë gjyqësorin të bëjë punën e tij në mënyrë të pavarur.
DEJVID GIR, EUROAMBASADOR
“Politika duhet të largohet nga gjyqësori, Qeveria dhe partitë politike duhet të tregojnë vullnetin e tyre për ta bërë këtë, dhe gjyqtarët gjithashtu duhet të tregojnë se janë të gatshëm ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur”.
Ai thekson se Delegacioni ndjek me kujdes zhvillimet në Këshillin Gjyqësor, flet hapur për to dhe është i shqetësuar. Gir vlerëson se marrëveshja Shkup – Sofje është marrëveshja më e mirë që mund të dakordohej në ato kushte.