Dyshohet se autorët e vrasjes në Greqi janë nga Maqedonia

Rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm është hapur zjarr mbi dy shtetas të Maqedonisë së Veriut të cilët ndodheshin në Hallkidiki të Greqisë. Nga të shtënat, siç raportojnë mediat greke, ka humbur jetën 39 vjeçari Orhan Bajrami, i njohur me pseudonimin Oki, ndërsa është plagosur rëndë shoku i tij, 45 vjeçari Sead Slezoviq, i cili është transferuar në spitalin në Poligiros. Detajet fillimisht janë publikuar në mediat greke të cilat ngjarjen e përshkruajnë si “ekzekutim”. Mediat greke shkruajnë se sipas dëshmitarëve, sulmuesit e maskuar hynë në dhomën e hotelit ku po qëndronin personat në fjalë dhe filluan të qëllojnë më shumë se 20 plumba. Ngjarja është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

“Pas informacionit për vrasjen në Halkidiki të Greqisë, Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Athinë ka kontaktuar institucionet kompetente, përkatësisht policinë në Selanik dhe prej aty është konfirmuar se në Sani Vilas të Hanioti dy persona të maskuar kanë hapur zjarr mbi dy shtetas të Maqedonisë së Veriut. Të dy u dërguan në spitalin e përgjithshëm të Halkidikit, ku njëri nuk u mbijetoi plagëve, ndërsa tjetri për nga ashpërsia e plagëve të marra, u transportua në një spital tjetër, në Poligiros. Sipas informacioneve të Ambasadës, disa ekipe të policisë greke ndodhen aktualisht në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Viktima Orhan Bajrami- Oki portretizohet si një biznesmen në fushën e kazinove dhe prodhimit të pijeve.

“Një pjesë e mediumeve shkruajnë se burime të mirë informuara në hetuesi dyshojnë se autorët e vrasjes janë shtetas të Maqedonisë së Veriut që i kanë përcjellur lëvizjet e tyre. Për momentin nuk është e qartë nëse autorët kanë ikur jashtë Greqisë dhe nëse po, ku kanë ikur”, ka raportuar Kanal5.