Vendi përfshihet nga i nxehti ekstrem, të enjten dhe të premten temperatura mbi 40 gradë

Reshjet e shiut do të mungojnë për disa kohë, sepse vendi kaplohet nga temperaturat e larta. Hidrometeorologët thonë se i nxehti do të kaplojë të gjithë territorin e vendit. Ndërsa ditët më të nxehta dhe të cilat përbëjnë edhe rrezik për shëndetin e qytetarëve do të jenë e enjtja dhe e premtja e kësaj jave. Temperatura maksimale e regjistruar sot në Shkup ishte 36 gradë Celsius.

“Nën ndikimin e një vale të nxehtë në ditët në vazhdim do të kemi mot të qëndrueshëm dhe shumë të nxehtë. Temperaturat ditore në pjesën më të madhe të vendit do të arrijnë edhe në 35 gradë Celsius. Temperaturat e mëngjesit në Shkup dhe në pjesën jugore të vendit nuk do të jenë nën 20 gradë Celsius. Veçanërisht nxehtë do të jetë të enjten dhe të premten, kur në më shumë vende temperaturat do të arrijnë në mbi 40 gradë Celsius, respektivisht temperatura maksimale do të jetë në interval nga 34 deri në 42 gradë celsius dhe nga 35 në 43 gradë Celsius. Dhe do të jetë fazë portokalli, pra me rrezik nga temperaturat e larta”, tha Jovana Taseska- Enti Hidrometeorologjik.

Qytetarët duhet të përpiqen të shmangin lëvizje nga mes orës 10 deri në orën 17, sepse përndryshe do t’u duhet të lëvizni atëherë kur edhe është piku i të nxehtit kur edhe regjistrohen temperaturat maksimale. Kujdes maksimal duhet të kenë të moshuarit, personat me probleme shëndetësore dhe fëmijët, por kjo nuk do të thotë se qytetarët nga kategoritë tjera nuk janë të rrezikuar. Të sëmurët kronik apo ato me sëmundje kardiovaskulare, të konsultohen me mjekët për përshtatje të terapisë.

“Sidomos grup mosha e fëmijëve dhe të moshuarve duhet të kenë kujdes në kohën e të nxehtit më të madh, respektivisht prej orës 10 deri në orën 17 të mos jenë të ekspozuar dhe atë kohë tjetër që do të dalin të përshtatin veshjen dhe ushqimin sipas temperaturave. Pra, veshmbathja të jetë në ngjyrë të bardhe, sepse e reflekton rrezet e diellit, të mbajnë kapele të bardha ose shami të bardhë, ose të paktën një çadër. Të gjithë ata që janë të obliguar të dalin gjatë kësaj kohe, të mbajnë me vete shishe me ujë që të jenë të hidratuar, sepse temperaturat e larta të dehidrojnë, dikush djersitet më shumë, dikush më pak”, u shpreh Sedat Lumani- mjek.

Gjatë temperaturave të nxehta rekomandohet konsumimi i sa më shumë lëngjeve, ndërsa në vaktet e ngrënies duhet të dominojnë kryesisht frutat dhe perimet. Mjekët paralajmërojnë se kalimi i motit nga ai me karakteristika si në vjeshtë në temperatura shumë të larta, mund të ndikojë në shfaqjen e komplikimeve shëndetësore tek qytetarët. /Alsat.mk