Përfundon pa gola sfida e parë Zalgiris – Struga TL

Struga e mbylli në barazim 0-0 ndeshjen e parë ndaj Zalgiris. Skuadra e drejtuar nga tekniku Shpëtim Duro që debutoi në Champions League, mori një rezultat shpresëdhënës për ndeshjen e kthimit një javë më pas teksa gjithçka është e hapur me Strugën që do të tentojë kualifikimin në raundin e dytë të kompeticionit më të rëndësishëm europian.

Pjesa e parë nisi mirë për Strugën me miqtë që provuan në minutën e katërt me anë të Ibraimit që mori përsipër një goditje dënimi. Por, goditja e kapitenit u devijua në këndore duke shmangur rrezikun në portën kundërshtare.

Dhjetë minuta më pas ishte radha e vendasve për të “treguar dhëmbët” teksa Hnid goditi me kokë pas një këndoreje megjithatë gjeti në gatishmëri portierin Kjosevski. Ndërkaq, në të 35-tën u shfaq edhe mundësia ideale për Strugën, me Shabanin që pas një aksioni të rrjedhshëm nga e djathta doli i vetëm përballë portierit kundërshtar, por u ndal në momentin e fundit.