Disfatë minimale 2:1 ndaj Tiranës në ndeshjen e tretë dhe të fundit kontrolluese para ndeshjes së parë europiane kundër Zhalgiris. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Ohër prodhoi një futboll mjaft cilësor gjatë 45 minutave të para që u mbyllën me rezultatin 1:1.
Pavarësisht dominimit që kishim, miqtë nga Tirana avansuan të parët në këtë ndeshje, duke realizuar pas një kundërsulmi në minutën e 37-të, mirëpo që shumë shpejtë arritëm të kundërpërgjigjemi me Bunjamin Shabanin, që në minutën e 39-të barazoi shifrat në 1:1.
Vlen të theksohet se kapiteni Shabani, pranë rezultatit 0:0 kishte goditur shtyllën, ndërsa raste ideale për gol kishte edhe Besart Ibraimi, që megjithatë nuk arriti të gjejë rrjetën kundërshtare.
Vlen të theksohet se 5 minuta para fundit të pjesës së parë, trajneri Shpëtim Duro ishte i detyruar që të zëvendësojë Valentin Koçoskin, që u ankua në një lëndim, ndërsa vendin e tij e zuri Flamur Tairi.
Edhe pjesa e dytë u zhvillua me të njëjtin ritëm dhe fotografi, me ekipin tonë që sulmonte dhe krijonte raste, derisa pas një kundërsulmi në minutën e 69-të, Tirana realizoi edhe golin e dytë dhe të fundit të këtij takimi.
Nga rastet që duhet veçuar në këtë pjesë, ishin ato të Besmir Bojkut, i cili edhe pse doli i vetëm para portierit kundërshtarë, nuk arriti të shënojë, pastaj ai i Besart Ibrahimit dhe sulmuesit të ri, Senad Jaroviç.
Kujtojmë, gjatë kësaj periudhe përgatitore u takuam edhe me Ballkanin e Kosovës (2:2) dhe Partizanin e Tiranës (1:2).
Këto ndeshje skuadrës tonë, por edhe skuadrës së Tiranës ju shërbejnë për sfidat europiane që i presin javën që vjen. Struga Trim Lum do të përballet me Zhalgiris në transfertë në kuadër të kualifikueseve të Ligës së Kampionëve, derisa Tirana në kuadër të Ligës së Konferencës do të përballet me Dinamo Batumi.