Ushtria ukrainase raporton për luftime të ashpra në lindje

Luftime të ashpra kanë vazhduar në zonën e Bahmutit, Limanit, Avdijivkës dhe Marjinkës në Donjeck, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 5 korrik, duke shtuar se në ditën paraprake në këto zona ka pasur 40 përleshje luftarake.

“Luftëtarët tanë kanë vazhduar operacionet ofensive në jug dhe veri të qytetit të Bahmutit”, tha ushtria në përditësimin e fundit për luftën në Ukrainë.

Në njoftim u tha se mbi 15 vendbanime janë sulmuar nga artileria ruse.

Ushtria ukrainase tha po ashtu se ushtria ruse ka intensifikuar aktivitetet vëzhguese dhe të sabotimit në zonat kufitare afër qytetit Siverski.

Ndërkaq, guvernatorët e Kurskut dhe Belgorodit në Rusi thanë se këto rajone janë sulmuar nga forcat ukrainase përtej kufirit. Sipas tyre, sulmet kanë ndodhur në orët e para të 5 korrikut, por nga këto sulme nuk u raportua për viktima.

“Qyteti Valujki është nën zjarr nga forcat e armatosura të Ukrainës”, shkroi në Telegram më 5 korrik guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov.

“Sistemet tona ajrore funksionuan dhe nuk ka shkatërrim në terren”, shtoi ai.

Në një deklaratë të ndarë, Roman Starovoyt, guvernator i rajonit Kursk – që gjendet në veri të Belgorodit dhe po ashtu ndodhet pranë kufirit me Ukrainën – tha se një shkollë dhe një shtëpi private u dëmtuan nga sulmet në fshatin Tjotkino.

Në orët e vona të 4 korrikut, ushtria ukrainase tha se ka shkatërruar një formacion të forcave ruse në Makijvka në rajonin e Donjeckut, ndërkaq përfaqësuesit e instaluar nga Rusia akuzuan Kievin se ka shënjestruar një spital, duke thënë se një civil u vra dhe 36 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit.

“Si rezultat i sulmit efektiv të njësive dhe forcave mbrojtëse, edhe një formacion i terroristëve rusë në Makijvkën e pushtuar përkohësisht, u shkatërrua”, tha ushtria ukrainase më 4 korrik.

Lideri i instaluar nga Rusia në rajonin ukrainas të Donjeckut, Denis Pushilin, tha se forcat ukrainase kanë kryer “sulme të ashpra” ndaj zonave të banuara dhe një kompleksi spitalor në Makijvka.

Radio Evropa e Lirë nuk mund të konfirmojë zhvillimet në fushëbetejë që pretendohen nga të dyja palët në zonat ku ka luftime të ashpra. /REL