Punësimi i profesionistëve në platformat online mori përhapje të shpejtë në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor pas pandemisë Covid-19.
Të dhënat nga platforma Gigmetar, që mat tregun e punësimit online në Ballkanin Perëndimor tregojnë se, profesionistët dixhitalë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, punojnë kundrejt pagesave më të ulëta se punonjësit e tjerë në Rajon, shkruan Monitor, përcjell PRESSonline.al
Sipas grafikut të mëposhtëm punonjësit meshkuj nga Maqedonia e Veriut paguhen mesatarisht 18.6 USD për ore pune dhe femrat 14.3 dollarë për orë. Në Shqipëri punonjësit meshkuj online paguhen mesatarisht 20.9 USD për orë pune dhe femrat 13.9 USD. Femrat shqiptare të punësuara online paguhen më pak në Rajon.
Pagat më të larta për orë pune online i ka Mali i Zi ku meshkujt marrin më shumë se 32 dollarë për orë.
Të dhënat tregojnë se puna online dominohet nga meshkujt. Nga 10 punonjës online në Ballkan më shumë se 6 janë meshkuj. Bullgaria, Hungaria dhe Serbia shfaqën më shumë ekuilibër më 2022.
Ndarja gjinore ishte më e fortë në Bosnje-Hercegovinë, ku meshkujt përbënin tre të katërtat e të gjithë punonjësve online.
Pagesa mesatare për orë vazhdoi prirjen e saj (modeste) rritëse me 1.6 për qind në tetor 2022 në krahasim me majin 2022. Ashtu si në matjen e majit, pagesat më të mira u ofruan nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Pas Malit të Zi, Kroacia kishte pagesat më të mira për orë pune online, e ndjekur nga Rumania, Hungaria dhe Bullgaria, shkruan Monitor, përcjell PRESSonline.al
Grupi maqedonas i punonjësve online mbeti më konkurrenti, pasi çmimet e kërkuara ishin 63.1 për qind të tarifës mesatare për orë që u kërkuan nga punonjësit kroatë ose 80.2 për qind të mesatares rajonale. Shqipëria, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina ishin gjithashtu nën mesataren e rajonit (prej 21.03 USD).
Matjet e tetorit 2022 treguan se në Shqipëri, shumica e grave nga kampioni ishin aktive në zhvillimin e softuerëve dhe teknologjisë; në Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Maqedoni e Veriut dhe Serbi ishin shumicë në shërbimet kreative dhe multimediale; dhe në Hungari dhe Rumani profesioni i tyre kryesor ishte shkrimi dhe përkthimi.
E njëjta tendencë është edhe për burrat. Ashtu si me gratë, në Shqipëri profesioni më i zakonshëm për meshkujt ishte zhvillimi i softuerit dhe teknologjia.
Kjo tendencë ishte gjithashtu e vlefshme për meshkujt në Bullgari, Mal të Zi, Kroaci, Hungari dhe Rumani. Shumica e meshkujve zgjodhën shërbimet krijuese dhe multimediale në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Në Shqipëri kishte shumë pak meshkuj të angazhuar me shkrim dhe përkthim.