Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski gjatë ditës së sotme u shpreh se ndryshimet kushtetuese do të hynë në Kuvend atëherë kur do të vlerësohet nga Qeveria.
“Ky proces nuk do të bllokohet dhe do të shkojë në procedurë kuvendare. Jam i bindur se deputetët e Maqedonisë, pavarësisht nga cila parti politike vijnë, do ta marrin vendimin që siguron të ardhme evropiane për qytetarët”, u shpreh Kovaçevski.
Sipas tij, më e mira do të ishte nëse ndryshimet kushtetuese do të miratoheshin me mbështetjen e të gjitha partive politike.
“Ky proces nuk është i një njeriu, i një partie ose një Qeverie, por proces më gjithëpërfshirës që siguron të ardhmen evropiane për shtetin. Ky proces nuk mund të jetë peng i karrierës politike të një njeriu”, tha Kovaçevski.