Nga Nada Dosti
“Hidh gurin m’çif dorën” themi ne nga mëmëdheu Shqipëri për të shpjeguar një veprim apo një fjalë negative për të cilën pastaj ndihemi fajtorë dhe e fshehim (e largojmë më vonë) duke mos mbajtur përgjegjësi.
Zonja Arta Toçi, profesoreshë universitare, deputete përfaqësuese e një subjekti politik, bëri një deklaratë pikërisht m’u në ditën e arsimit dhe të gruas.
Goditje e ulët shoqëruar me disa mbrojtje – penallti – nga vetë komuniteti i ofenduar (edhe pse ata mund të kenë deklaruar të kundërtën). “Kujt t’i djegi le ta mbajë” themi përsëri ne të Shqipërisë. Dhe deklarata e Zonjës Artë dogji..të dhemb! Të dhemb kur sheh se si sulmohesh nga soji yt, dhe jo nga një personazh dosido por nga një përfaqësuese e gradave më të larta të arsimit dhe nga një politikane dhe politikbërëse, e cila si e tillë duhet të jetë shembull për brezat e rinj të cilët duhet të pranojnë diversitetin qoftë ky nëse i përket të kaluarës së kombit, të tashmes apo të ardhmes. Shembull se si rinia duhet të jetë e ndërgjegjshme për identitetin e saj kombëtar dhe fetar dhe ta shtrëngojë atë fort si një element integrimi dhe jo ta përbuzë si një relikë të së shkuarës.
Atyre që “nuk u dogji”, kushedi se çfarë vlerësojnë si parësore përtej identitetit kombëtar dhe fetar. Ndoshta për ta, vendi punës, përkatësia partiake, simpatia dhe solidariteti prej kolegësh etj. Mund të jenë element më të rëndësishëm se sa përkatësia identitare. Ani se kurrë gjatë aktivizmit të tyre nuk kanë shfaqur solidaritet me bashkëbesmitaret muslimane, nuk kanë ngritur asnjëherë zë për të mbrojtur dinjitetin dhe krenarinë e tyre.
Ah sikur në vend të kritikës që iu takonte t’i bënin së paku të kishin heshtur!
Teza se zonja Artë nuk qenka islamofobe nuk përputhet me faktin se ajo bëri një prenoncim islamofob dhe jo vetëm por edhe racist, ndaj të gjitha etnive me përkatësi fetare muslimane. Në fund të fundit islamofobia është një qëndrim, një mendim, paragjykim bazuar mbi retorikën anti-muslimane e përcjellur me gjuhë urrejtje. Quajeni islamofobe ose jo, madje jeni të lirë ta quani si të doni por gjuha e urrejtjes qëndron aty. E nëse u konsideroka liri e shprehjes gjykimi i saj ndaj shamisë atëherë përse të mos quhet liri e shprehjes një etiketimi i tillë ndaj zonjës Artë? Kur ajo merr guximin të diskretitojë një komunitet dhe etni të tërë përse duhet të jetë kaq e rëndë kundër akuza ndaj një individi të vetëm? Cili gjynah është më i madh?
Nëse përqëndrohemi pastaj tek debati mbi shaminë (është apo s’është obligative) dua të theksoj se kompleksiteti sociologjik i mbulesës islame nuk duhet të kufizohet vetëm bazuar mbi diskursin teologjik/fetar. Kjo sepse në kontekstin historik dhe social të shqiptarëve të Maqedonisë arsyeja fetare nuk ka qenë e vetmja arsye, por ka pas dhe të tjera si: arsye zakonore, shprehje e identitetit personal si dhe atij kombëtar.
Nga ana tjetër, ne nuk mund të gjykojmë qëllimin, por një deklaratë e tillë e një profesoreshe pikërisht e fakultetit të Gjuhëve, Kulturës dhe Komunikimit, me kërkime dhe studime mbi çështjen e Gender/Gjinisë dhe portretizimit, përfaqësimit dhe stereotipizimit të gruas, është shumë e vetëdijshme për ndjeshmërinë e temës dhe pasojat që mbartin prenoncime të tilla. Por le të marrim si të mirëqenë faktin se të gjithë ne e paskemi keqkuptuar dhe qëllimi i saj nuk paska qenë dashakeqës, atëherë përse nuk kërkon falje publike, për të ç’bërë dëmin e shkaktuar?
Por zonja në fjalë paska bërë edhe një postim tjetër justifikues dhe arsyetues por jo kërkesë ndjese publike për fyerjen që i bëri komunitetit të besimtarëve muslimanë shqiptarë.
Jo vetëm që ajo duhet të kërkojë ndjesë publike por edhe institucioni arsimor duhet të veçohet publikisht nga deklarata e saj, si dhe subjekti politik që ajo përfaqëson deri tek kryetari i partisë, që të potenciohet se nuk pajtohen me pikëpamjet e zonjës Arta Toçi. Përndryshe, i kanë hapur një punë të madhe vetes, kanë për të humbur shumë elektorat dhe kjo nuk është aspak e shëndetshme për reputacionin e tyre në këtë prag, vigjilje zgjedhjesh.
Dhe si përfundim, dua të sqaroj se si gazetare e pavarur nuk kam asnjë lloj lidhje partiake sepse praktikisht kjo është diçka e pamundur pasiqë nuk jam nënshtetase e RMV-së, edhe pse nuk e mohoj se në të kaluarën kam dashur të aplikoj (le të qeshim të gjithë sëbashku). Me këtë shkrim nuk kam për qëllim të sulmoj asnjë subjekt politik, institucion arsimor apo individin në fjalë. Qëllimi është të ngrej zë ndaj gjuhës së urrejtjes sidomos kur kjo sulmon besimtaret muslimane shqiptare të RMV-së. /tesheshi.com/